Eksplorimi i zhvillimit dhe blerjes së kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, ndarja e ekperitzave më të mira në rekrutim, zhvillim dhe mbajtjen e personelit për të rritur kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse, stërvitje të përbashkëta, forcimi i hapave kundër kërcënimeve hibride, shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës për parandalim dhe mbështetja e Kosovës për marrjen e statusit të saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Këto janë disa nga pikat që përfshin deklarata e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan më 18 mars në Tiranë.
Marrëveshja e plotë u publikua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, më 22 mars, i cili shkroi në X se në historinë e saj, Tirana nuk ka precedent për marrëveshje apo traktate të fshehta në dëm të fqinjëve, “siç e kanë pasur shtetet e tjera”.
“Serbia, duke ndjekur prej dy vjetësh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga Qeveria serbe”, shkroi ai.
Teksti i plotë i deklartës më pas u publikua edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Ministri Vengu tha se marrëveshja synon të përmbushë ambiciet që dalin nga koncepti strategjik i NATO-s dhe mbështetet në rritjen e bashkëpunimit dhe prodhimit industrial të mbrojtjes në bazë të zotimit të aleancës për zgjerim industrial dhe planit të Bashkimit Evropian për Riarmatosjen e Evropës.
Çfarë thuhet në deklaratë?
Marrëveshja për fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Kosovës dhe dy shteteve anëtare të NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë, ka katër pika.
Pika e parë ka të bëjë me promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në industrinë përkatëse.
Aty thuhet se tri shtetet do të eksplorojnë zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, me qëllim që të rrisin gatishmërinë e forcave të tyre ushtarake. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ashtu zotohen që do të identifikojnë hapësira për bashkëpunim n industrinë e mbrojtjes, duke nxitur qasjen në burime dhe zinxhir furnizimi me qëllim që të kenë një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes.
Kjo pikë e marrëveshjes po ashtu parasheh investim në teknologji dhe inovacione të reja me qëllim që të kenë një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Pika e dytë adreson rritjen e ndërveprueshmërisë, përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Aty thuhet se do të ndahen praktikat më të mira të rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së personelit të kualifikuar ushtarak me qëllim që të rriten kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse.
Po ashtu, aty parashihet mundësia e edukimit dhe trajnimit individual përmes akademive dhe kolegjeve përkatëse të shteteve, “me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta”.
Marrëveshja parasheh stërvitje dypalëshe dhe trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë në bazë të politikave të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që forcat e tyre ushtarake të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.