Global Forest Watch (GFW) publikoi një raport ku thuhet se gjatë vitit 2022, mesatarisht 11 fusha futbolli të tokës pyjore janë shkatërruar çdo minutë, raporton Anadolu.
GFW është platformë e monitorimit dhe paralajmërimit të pyjeve në internet e mbështetur nga Instituti Botëror i Burimeve, ndërkaq në raportin e vitit të kaluar ajo deklaroi se komuniteti ndërkombëtar ka ngecur prapa objektivave të Deklaratës së Glasgowit, e cila u nënshkrua në vitin 2021 në Konferencën e 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26).
“A jemi në rrugën e duhur për të ndaluar humbjen e pyjeve deri në vitin 2030? Përgjigjja e shkurtër është thjesht jo”, tha Rod Taylor, drejtor i programit pyjor të Institutit Botëror të Burimeve.
Duke thënë se shpyllëzimi në vitin 2022 është një milion hektarë më shumë se niveli i nevojshëm për të përmbushur objektivat e vitit 2030, Taylor tha se trendi i përkeqësimit vazhdon.
Sipas të dhënave, vitin e kaluar çdo minutë janë shkatërruar sipërfaqe pyjore sa 11 fusha futbolli. Sipërfaqet pyjore të shkatërruara nga prerjet e pyjeve apo zjarret arritën në 4 milionë hektarë.
Brazili prinë për nga shkatërrimet me 1.77 milionë hektarë, i ndjekur nga Republika Demokratike e Kongos me 513 mijë hektarë, Bolivia me 386 mijë hektarë dhe Indonezia me 230 mijë hektarë.