Kur më 1996 Biroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) nisi përpjekjet për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut, të gjithë besuan se do të kemi shkollim më cilësor dhe më afër standardeve evropiane. Asokohe askujt nuk i shkoi mendja te mundësia e ecjes së punëve së prapthi, jo për shkak të paaftësisë së mësimdhënësve, po për shkak të politikave të gabuara arsimore të shtetit, që, nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, nuk e ka pasur prioritet çështjen e arsimit në asnjë nivel të shkollimit.
Ç’është e vërteta, gjatë kësaj periudhe kohore u bënë disa lëvizje shpresëdhënëse, u mbajtën seminare me arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme, por gjithçka përfundoi me rezultate modeste. Ndodhi kështu, sepse askush nuk kërkoi që trajnimet e njëpasnjëshme të mësimdhënësve të shoqërohen me mbikëqyrjen e mënyrës së zbatimit praktik të njohurive teorike, të përvetësuara në trajnimet e mbajtura nga këshilltarët pedagogjikë; sepse, vëzhgimet u lanë në duart e inspektorëve të arsimit, që, pa vullnetin e tyre, u detyruan të kryejnë punën që nuk u takonte.
Kjo shkaktoi pështjellime që ndikuan në rënien e interesimit të arsimtarëve për të ndjekur seminaret e një numri të madh projektesh, që braktiseshin pa ndonjë arsyetim, posa bëheshin rrush e kumbulla paratë e falura për reformimin e mirëfilltë të sistemit arsimor. Ky mekam u përsërit pothuajse me gjithë projektet e paguara shtrenjtë nga evropianët dhe vonoi gjetjen e modeleve bashkëkohore të mësimdhënies, përgatitjen e kuadrove për jetën dinamike të së sotmes dhe plotësimin e nevojave të nxënësve të epokës dixhitale, kur gjërat vjetrohen me shpejtësi marramendëse.
Për mendimin tim, veçmas në shkollat shqipe, dështimi i projekteve të sipërpërmendura ndodhi për shkak të numrit tejet të vogël të këshilltarëve pedagogjikë, të vetmit që mund të ndihmonin rritjen e cilësisë në arsim. Ata jënë profesionistë të lëndëve të caktuara mësimore. Detyrat parësore të tyre kanë qenë dhe duhet të jenë: përgatitjet e programeve mësimore; vlerësimet profesionale të cilësisë së teksteve shkollore, revistave dhe burimeve plotësuese; organizimi i seminareve dhe trajnimeve për mësidhënësit; vëzhgimi i orëve mësimore dhe përgatija e raporteve për cilësinë e tyre, me qëllim të tejkalimit të problemeve me të cilat ballafaqohen arsimtarët gjatë procesit të punës; kontrolli i mbarëvajtjes së gjithë veprimtarisë edukative-arsimore në shkollat fillore dhe të mesme; ofrimi i ndihmës për funksionimin e mirë të aktiveve profesionale nëpër shkolla, nëpërmjet konsultimeve, këshillimeve dhe orientimeve të vazhdueshme; përgatitja e testeve eksterne për nxënësit e shkollave fillores dhe të mesme, përfshirë këtu edhe testet e matures etj. Shi për këtë, BZHA duhet ta ketë statusin e institutit, që krijon politika arsimore të mbështetura në hulumtimet empirike. Ajo duhet të kompletohet me këshilltarë pedagogjikë dhe bashkëpunëtorë profesionistë të jashtëm për çdo lëndë mësimore të shkollave fillore dhe të mesme, në pajtim me të drejtat që duhet të vlejnë për të gjithë njësoj. Vetëm kur të bëhet kjo do të fillojë ngritja e clësisë së shkollimit edhe në shkollat tona, sepse punët kryesore që bën Ministria e Arsimit i kryen BZHA dhe këshilltarët pedagogjikë, bashkë me disa ekspertë të fushave të caktuara, që, viteve të fundit, përpiqen të ndihmojnë përparimin e procesit mësimor, duke ndihmuar mësuesit që ta lidhin punën e shkollës me bizneset dhe prodhimin; që ta nxisin punën kreative dhe ekipore të nxënësve; që t’i pajisin ata me vetëdije kulturore dhe me kompetenca shoqërore, qytetare, teknologjike e dixhitale; që t’i aftësojnë të komunikojë në gjuhën amtare dhe të huaj; që t’i bëjnë të aftë për mësim praktik dhe përdorim të teknologjisë në sferën e robotikës, animacionit, kodimit, programimit, energjisë solare…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.