Gjykata në Bruksel i ka dënuar me burgim të përjetshëm Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin të cilët janë gjetur fajtorë për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri, raporton Koha.net.
Këtë e ka njoftuar familja Hadri.
Hadri ishte vrarë ne Bruksel nga pjesëtarët e UDB-s në shkurt të vitit 1990.
Në mesin e dëshmitarëve në këtë gjykim kanë qenë edhe Xhavit Haliti dhe Xhafer Shatri, ish-disident kosovar nga periudha e ish-Jugosllavisë, ndaj të cilëve ka pasur po ashtu përndjekje nga shërbimet e zbulimit serb e jugosllav.
Ka pasur edhe të dyshuar tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Enver Hadrit para tashmë 35 vjetësh. Por dy prej tyre janë vrarë më vonë në qërim hesapesh mes grupeve kriminale. Serbia asnjëherë nuk ka pranuar për t’i dorëzuar ata në Belgjikë për t’u përballur me akuzat.
Gjykata e Belgjikës në vitin 2016 kishte konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë nga grupet e krimit të organizuar të nëntokës që i përdorte shërbimi jugosllav i zbulimit dhe se kjo vrasje ishte me porosi me qëllime politike për shkak të aktivitetit të Hadrit në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dosja e Enver Hadrit në Gjykatën e Belgjikës përmban dëshmi në më shumë se 3000 faqe.