Britanikët votojnë në zgjedhjet e reja parlamentare

Britanikët kanë filluar të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të enjten, me Partinë Laburiste në opozitë që shihet si favorite për të ardhur në pushtet, dhe për t’i dhënë fund mbizotërimit 14-vjeçar të Partisë Konservatore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 22:00, sipas kohës lokale.

Rreth 50 milionë njerëz janë regjistruar për të votuar. Ata mund të votojnë duke shkuar nëpër vendvotime, me postë ose nëpërmjet një përfaqësuesi.

Votuesit në Britani do t’i zgjedhin 650 deputetë për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar në Parlament.

Kryeministri Rishi Sunak e habiti partinë e vet në maj kur thirri zgjedhje të reja, të cilat kanë mundur të mbaheshin në janar 2025.

Pas plot 14 vjetëve në pushtet me pesë kryeministra të ndryshëm, Partia Konservatore e Rishi Sunakut pritet t’i humbë zgjedhjet kundër partisë kryesore opozitare, asaj Laburiste, e cila udhëhiqet nga Keir Starmer.

Sondazhet para zgjedhjeve treguan se Partia Laburiste qëndron më mirë sesa konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak.

Sondazhi i YouGov ka parashikuar se laburistët mund t’i fitojnë 425 ulëse, ndërsa konservatorët 108.

Ky rezultat do ta shënonte numrin më të vogël të ulëseve të fituara nga Partia Konservatore në historinë e saj gati 200-vjeçare.

Partia e Sunakut ka dështuar t’i bindë votuesit për çështje si, rritja e kostos së jetesës dhe kriza në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë.

Një sondazh nga transmetuesit kryesorë të Mbretërisë së Bashkuar do të publikohet sapo të mbyllen qendrat e votimit, për të dhënë një indikacion të fituesit të mundshëm.

Numërimi i votave do të nisë menjëherë, por rezultati do të bëhet i ditur mëngjesin e së premtes.

Anglia - Britania e Madhe