Bota njihet me kulturën shqiptare midis Brukselit përmes ShqipVille, Canaj: Ka ardhur ora e shqiptarëve

Në sheshin kryesor të Brukselit, mu në zemër të qytetit, aty në një cep ndodhet ShqipVille, lokali që frymon shqip dhe tërheq vëmendjen e çdo shqiptari që kalon aty pranë. Kjo shtëpi e shqiptarëve ka një mision: promovimin e kulturës shqiptare dhe jo vetëm. ShqipVille funksionon që nga viti 2022 ndërsa deri më tani në këtë sallon të shqiptarëve kanë trokitur më shumë se 230 mijë vizitorë kurse janë organizuar qindra aktivitete. Portalb.mk bisedoi me themeluesen e ShqipVille Ledja Canaj.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb.mk: Ndodhemi në zemër të Brukselit, pse kjo shtëpi e shqiptarëve këtu, si ka lindur ideja?

Ledja Canaj: Ideja ka lindur nga vuajtja, por ka lindur për të mos vuajtur të tjerë pas meje. Është një shtëpi kulture për të promovuar qytetarinë, historinë, trashëgiminë dhe të gjitha ato vlera që ka kombi ynë. Duhet të na njohin, për kontributet që kemi dhënë, duhet të mësojmë për ato gjëra që ne i dimë edhe vet që i nuk i kemi mirë dhe kjo është një shtëpi ku promovohet trashëgimia, ku promovohen të gjitha produktet e Shqiptarisë, ku promovohet truri por ku respektohet çfarëdolloj kulture tjetër dhe celebrohet diversiteti.

Në këtë shtëpi bëhen ekspozita pikture çdo muaj, artistët janë të shteteve të ndryshme secili prej tyre vjen dhe e pasuron këtë shtëpi me kulturën e vet, me prapavijën e vet kulturore dhe në një farë mënyre bëhet një lloj diplomacie kulturore për ta njohur më mirë njëri tjetrin përpara se ta gjykojmë njëri tjetrin.

Në këtë shtëpi bëhen kurse të gjuhës shqipe falas tre herë në javë dhe është një kontribut i jashtëzakonshëm që jep Miranda Dervishaj si mësuese e gjuhës dhe ata që aderojnë në kursin e gjuhës shqipe janë shpesh herë edhe të huaj.

Në këtë shtëpi promovohen produktet të bëra në Shqipëri dhe Kosovë në Dhomën e Tregtisë të Brukselit me idenë për tu hapur vend produkteve tona dhe të lëmë shqiptarët në shtëpinë e tyre me të ardhura dinjitoze.

Në këtë shtëpi asistohet dy herë në javë falas për të gjithë ata persona të Shqiptarisë të cilët ndihen të humbur në Belgjikë, shpesh herë nuk kanë dokumente, shpesh herë nuk kanë ekuivalencën, shpesh herë nuk e dinë ku ta gjejnë vendin e tyre të punës dhe ne përpiqemi që ta ofrojmë këtë shërbim dhe e japim falas dhe kemi trajtuar më shumë se 700 dosje, jemi shumë të lumtur që në përgjithësi familjet shqiptare po përdorin këtë shtëpi për të integruar veten, fëmijët e tyre dhe për tu ndjerë mirë në këtë vend.

Kjo është gjithashtu një shtëpi për t’i thënë faleminderit Belgjikës, Belgjika është vendi që ka pritur që në vitin 1956 grupin e parë shqiptar, dhe sot ne jemi gati 200 mijë shqiptarë në Belgjikë. Kështu nëpërmjet kësaj shtëpie, aktiviteteve që bëjmë, shkrimtarëve që ftojmë, çdo dhjetë ditë promovohen tituj dhe libra të ndryshëm nga treva të ndryshme dhe nga shtete të ndryshme, sepse ne shpesh herë flasim për kufijtë administrativ por harrojmë që kufijtë mental janë më të rëndësishëm për tu diskutuar.

Pra në këtë shtëpi bëhen intervista, ka një podkast, ka një emision çdo të diele që quhet Jehona e Shqipes dhe përpiqemi që të japim kontribut të madh, të prekshëm, dhe secili nga ne të ketë më shumë krenari dhe të ketë më shumë përgjegjësi se nga vjen dhe se ku duhet të shkojë.

ShqipVille në Bruksel – Belgjikë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk: Me siguri që çdo shqiptar të kalon këtu troket në derë dhe hyn këtu të shohë se çfarë bëhet, por si është interesimi i të huajve, i turistëve dhe me çfarë përshtypjesh dalin nga këtu?

Ledja Canaj: Shqiptarët sigurisht që vijnë edhe vijnë në shtëpinë e tyre, vijnë me të njëjtin spontanitet dhe gjejnë të njëjtën dashamirësi dhe dashuri. Shpesh herë vijnë për të bërë një vizitë dhe ne i çojmë që të na lajnë edhe enët, pra që të ndihen tamam pjesë e shtëpisë.

Të huajt, unë jam shumë mirënjohëse, jam shumë falënderuese dhe sidomos shtetasve të Belgjikës të cilët që në tre muajshin e parë ku edhe vet koncepti i ShqipVille ishte në provë, sepse kishim një leje tremujore, aty kam një mirënjohje të jashtëzakonshme për të gjithë ata belgë që kanë shkruar referenca për këtë shtëpi dhe kanë dashur që kjo shtëpi ta vazhdojë rrugëtimin duke e vlerësuar si koncept unik ku promovohet në një mënyrë shumë dinjitoze trashëgimia dhe diversiteti.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët?

Ledja Canaj: Ne e dimë se jemi në mes të rrugës, ne kemi shumë gjëra që duhet t’i çojmë në destinacion dhe sigurisht që në këtë shtëpi celebrohet, festohet por në këtë shtëpi tërhiqet dhe vëmendja për të qenë në mësim. Duhet të jemi në mësim dhe duhet mos të harrojmë se çfarë duhet të na bashkojë, dhe emëruesi i përbashkët nuk është politika, emëruesi i përbashkët është atdhedashuria dhe kombi.

Unë mendoj se ka ardhur ora e shqiptarëve, ora e shqiptarëve është që ne të mësojmë nga e kaluara dhe ta kthejmë të gjithën në dobi të ardhmërisë edhe të kombit të përbashkët dhe të atdhedashurisë dhe të mundësisë që na ndihmojmë njëri-tjetrin, ne duhet të ndihmojmë më shumë njëri tjetrin. Ne duhet të jemi krenarë prej nga vijmë dhe duhet të respektojmë çdo lloj destinaconi ku shkojmë dhe çfarodo vendi ku shkojmë.

Ndryshe, Portalb.mk vizitoi ShqipVille për 28 Nëntor, më poshtë ndiqni momente nga atmosfera e festës.

BelgjikaBrukseliFlamuri shqiptarKultura shqiptare