Bislimoski: Javën e ardhshme do të kemi informata më konkrete për çmimin e rrymës pas 1 korrikut

Gjatë javës së ardhshme, pas tenderit të EVN Home për blerjen e energjisë elektrike, pasi të kemi në dispozicion të gjithë parametrat, do të kemi informacione më konkrete për çmimin e ri të energjisë elektrike që duhet të vlejë nga 1 korriku i këtij viti, tha sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) Marko Bislimoski, transmeton Portalb.mk.

Ai ka theksuar se deri më tani ka pasur periudha shumë më të vështira, por asnjëherë nuk kanë lejuar ndryshim serioz të çmimit të energjisë elektrike për të ruajtur standardin e qytetarëve.

Në çmimin e rrymës, siç tha Bislimoski, do të ndikohet edhe marzhi i fitimit, i cili nga 1 korriku do të jetë 9,9 në vend të 11,5 për qind.

“Çmimi i ri i energjisë elektrike po futet tani, jo në dhjetor, sepse licenca e furnizuesit të vjetër universal skadon më 30 qershor. Gjatë vitit të ardhshëm nuk duhet të marrim një vendim çmimi në qershor, por vetëm në dhjetor, i cili do të jetë i vlefshëm për të gjithë vitin 2026. KRRE nuk ka lejuar asnjëherë goditje çmimesh deri më tani, andaj edhe tani do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion që të mos ketë goditje çmimi. Duhet të presim derisa të përfundojë tenderi për prokurimin e energjisë elektrike më 21 qershor dhe EVN Home t’i dorëzojë llogaritjet e çmimit të energjisë elektrike për kontroll në KRRE ër të parë se cili do të jetë çmimi. Po bëjmë përpjekje dhe analiza që të jemi vendi i parë në Evropë që do të ketë tre orë tarifë të lirë gjatë ditës. Nuk do ta prezantojmë nga 1 korriku, por diku në nëntor, dhjetor apo janar të vitit të ardhshëm. Do të varet nga analizat”, tha Bislimoski.

Qeveria, siç tha ai, tashmë ka marrë vendim që çmimi i energjisë elektrike që EMV do t’ia ofrojë furnizuesit universal pas 1 korrikut është 60 euro për megavat orë. Gjithashtu, EMV nuk do të ofrojë 100 përqind të nevojave të konsumatorëve të vegjël dhe amvisërive që janë në tregun e rregulluar, por vetëm 85 përqind.

“Ky çmim prej 60 euro për megavat orë është disi surprizë për mua, sepse në krizë kanë ofruar çmim më të ulët, por disi mund ta menaxhojmë. Unë jam i shqetësuar për 15 përqind që EVN Home duhet të blejë në tregun e lirë. Në fitimet që shohim gjatë ditës, çmimi varion nga 90 deri në 100 euro dhe është më i lartë se sa jepet nga EMV. Ashtu siedhe më parë, edhe tani do të përdorim të gjitha mekanizmat për të shmangur goditjet e çmimeve për qytetarët”, theksoi Bislimoski.

Ndryshimi i fundit i çmimit të energjisë elektrike ishte në janar të këtij viti. Sipas vendimit të KRRE-së, energjia elektrike për ekonomitë familjare u ul me 5,16 përqind nga 1 janari për bllokun e parë, për bllokun e dytë dhe tarifa e lirë mbeti e njëjtë, për bllokun e tretë u shtrenjtua me 2,88, ndërsa për blloku i katërt me 1. 86 përqind. Për të gjitha amvisëritë u vendos tarifa për qasje në rrjet prej 200 denarë në muaj.

Energjia elektrike - rrymaEVNKomisioni Rregullator për Energji (KRRE)