BILANCE FUNDVITI

Në prag festash kujtojmë çaste apo ngjarje të rëndësishme, por edhe bëjmë bilance se çfarë kemi bërë brenda vitit.

Duke bërë bilance, ne reflektojmë për gabimet e bëra, por edhe marrim përgjegjësi për vendime më të guximshme.

Gjatë atmosferës festive duam për pak kohë të harrojmë disa ngjarje të trishta. Por ka ngjarje që s’mund dhe s’duhet të harrohen, sepse atij që harron i përsëritet historia.

TRAGJEDIA E KOÇANIT është ngjarja më tragjike e vitit në Maqedoni të Veriut. Nga zjarri që shpërtheu në një diskotekë në mars të vitit 2025, jetën e humbën 63 persona dhe afër 200 të tjerë u lënduan, shumica të moshës 16 deri 24 vjeç.

Këtu brenda pak viteve ndodhën disa tragjedi, por mungoi përgjegjësia. Pas kësaj tragjedie të rëndë, pata shkruar se këtu politikanët sillen si Edipi i mitologjisë greke, i cili i kërkonte fajtorët gjetkë edhe pse vetë ishte fajtori. Përderisa Edipi s’e dinte që ishte shkaktari i gjëmës, politikanët e dinë kush është fajtori, por fajin e hedhin gjetkë që t’i shpëtojnë përgjegjësisë.

PANORAMA POLITIKE më 2025 ndryshoi edhe në planin lokal pas ndryshimeve në planin qendror. Pavarësisht nga fjalimet optimiste, qytetarët vazhdojnë të përballen me kosto të larta jetese dhe me pasiguri ekonomike. Çmimet e artikujve ushqimorë vazhdojnë të rriten. Është paralajmëruar rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe të shërbimeve shëndetësore. Sindikatat kanë paralajmëruar greva nëse paga minimale nuk rritet. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Një alarm serioz për perspektivën e shoqërisë.

KA NGRIRË EDHE PROCESI I INTEGRIMIT EUROPIAN. Ndryshe nga Shqipëria, ku ka konsensus për sa i përket të ardhmes europiane, në Maqedoni të Veriut shtohet dyshimi e refuzimi ndaj BE-së dhe sforcohet retorika nacionaliste.

LUFTA NË UKRAINË mbetet problemi më i madh ndërkombëtar. Ka deklarata optimiste se lufta mund të përfundojë gjatë vitit 2026. Por një paqe eventuale, pa zgjidhje të përhershme, mund të ketë pasoja globale. Është pozitiv fakti se Ballkani, edhe pas një riorganizimi të mundshëm gjeopolitik, mbetet brenda sferës së ndikimit euroatlantik.

KUJTIM I BUKUR nga viti që lëmë pas mbetet futbolli. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova kanë gjasa që të luajnë në Botëror. Sukses të madh në futbollin ndërkombëtar shënoi edhe Shkëndija e Tetovës, që garon në Ligën e Konferencave. Me projekt të qartë, organizim të mirë dhe me mbështetje nga publiku, rezultatet vijnë herët a vonë.

PAS BILANCEVE S’KA VEND PËR LIGËSHTIM DHE AS PËR EUFORI. Dy gjendjet ekstreme janë të dëmshme për jetën njerëzore dhe shoqërore.

Urojmë që më 2026 të ketë sa më shumë dashuri dhe dhembshuri për njëri – tjetrin.

Po e përfundojmë këtë shkrim me vargjet e Ismail Kadaresë: “Desha t’ju uroja sonte gjithë të mirat, / Juve të dashurve, /Juve të mirëve, / T’u uroja maleve / pleqëri të mbarë, / Fushave dhe deleve pjellori; / Oxhakëve – tym të zi, / Nënave – qumësht të bardhë, / Rrugëve – zhurma kalamajsh, / Të rënëve – qetësi”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu