Biden pranoi se nuk kishte paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin

Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të tij, nxitën shqetësime edhe në mesin e anëtarëve të partisë së tij se 81-vjeçari nuk është i gatshëm të udhëheqë vendin edhe për katër vjet të tjera. Pas debatit u krijua një moment krizë në fushatën e Bidenit dhe në presidencën e tij, teksa anëtarët e Partisë Demokratike filluan të mendonin për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm për të, përderisa donatorët dhe mbështetësit e tij po ashtu shprehën shqetësim lidhur me përballjen e tij karshi Trumpit.

Biden duket se pranoi kritikat gjatë një tubimi të premten në Karolinën e Veriut, duke thënë “unë nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur”.

Por, ai shtoi se “e di këtë punë. Dhe e di se si bëhen gjërat”.

Gjatë një fjalimi 18 minutës, Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen dhe ndëshkimin”.

“Zgjedhja në këto votime është e thjesht. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj”, tha ai.

Biden, duke aluduar në kandidaturën e tij, tha se “kur të rrëzojnë, t’i ngrihesh”.

Zonja e Parë, Jill Biden, gjatë një ngjarjeje të premten mbrëma në Qytetin e Nju Jorkut, tha se burri i saj i tha pas debatit: “Nuk di çfarë ndodhi. Nuk u ndjeva mirë”.

Edhe para debatit, mosha e Bidenit ka qenë shqetësim për votuesit dhe debati i së enjtes mbrëma duket se përforcoi këto shqetësime të votuesve disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Fushata e Bidenit po ashtu ka tentuar që të ulë shqetësimet, teksa ligjvënësit demokratë e kanë pranuar se presidenti pati paraqitje të dobët në debat, por tentuan të ndalnin diskutimet për zëvendësimin e tij si kandidat për president.

“Presidenti nuk pati një natë të mirë, por as Donald Trumpi me gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme dhe me vizionin e errët të tij për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper për Associated Press.

“Nuk mund ta kthejmë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ai është kërcënim ekzistencial për kombin tonë”, tha ai.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, mbështeti ish-nënpresidentin e tij, duke postuar në X – që më herët njihej si Twitter – se “paraqitje të këqija gjatë debateve ndodhin ”.

Duke aluduar në paraqitjen e tij të dobët në debatin e tij gjatë fushatës për rizgjedhje më 2012, Obama tha se “më besoni, e di. Por, këto zgjedhje ende janë një zgjedhje mes dikujt që ka luftuar për njerëzit e zakonshëm gjatë gjithë jetës së tij dhe dikujt që vetëm ia ndien për veten”.

Ndërkaq, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve u përgjigj me “jo”, kur u pyet nëse Bideni duhet të tërhiqet nga gara.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tentoi të bindte mbështetësit e Bidenit duke thënë se “kjo garë nuk do të vendoset nga një natë qershori”.

“Kjo garë do të vendoset nga ju. Na ne. Kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm do të përcaktohet nga ajo se çfarë ne së bashku do të bëjmë në 130 ditët e ardhshme”, tha ajo gjatë një tubimi në Las Vegas.

Drejtori për media i fushatës së Bidenit, Michael Tyler, tha se nuk ka pasur “asnjë” bisedë të brendshme që Biden të tërhiqet nga gara, por ai e pranoi se Bideni pati “një natë të keqe” gjatë debatit.

Sipas sondazhit të CNN dhe Ipsos, që u realizua pak pas debatit, shumica e shikuesve të debatit shprehën mendimin se Trumpi kishte paraqitje më të mirë sesa Bideni.

Sipas rregullave aktuale të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, që Biden të zëvendësohet si kandidat zyrtar i partisë pa dëshirën e tij ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë që të ndryshojnë rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht.

Donald Tramp (Trump)Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Xho Bajden (Joe Biden)