Biden diskutoi me liderët e Egjiptit dhe Katarit për armëpushimin në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në bisedimet e zhvilluara me liderët e Egjiptit dhe Katarit kërkoi nga këto dy vende që të përdorin ndikimin e tyre mbi Hamasin për arritjen e një armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden zhvilloi biseda të ndara telefonike me presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi dhe Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Biden trajtoi në mënyrë gjithëpërfshirëse procesin lidhur me negociatat për armëpushim të cilat aktualisht janë në tryezë dhe në të cilat marrin pjesë Egjipti dhe Katari ndërsa ka falënderuar Sisin dhe Al Thanin për përpjekjet e tyre në këtë çështje.

“Nëse Hamasi pranon propozimin për armëpushim, në Gaza do të arrihet menjëherë armëpushim. Në rajon do të hyjnë ndihma intensive humanitare dhe në këmbim të kësaj Hamasi do të lirojë pengjet”, tha Biden i cili kërkoi nga liderët e Egjiptit dhe Katarit që të përdorin ndikimin e tyre mbi Hamasin për çështjen e marrëveshjes së armëpushimit.

Më 26 prill Hamasit iu paraqit propozimi i ri i përgatitur me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit reciprok të pengjeve ndërsa u theksua se Hamasi po punon mbi këtë propozim dhe se së shpejti do të japë përgjigje me shkrim.

Lidhur me procesin e marrëveshjes së armëpushimit, mediat egjiptiane njoftuan se delegacioni i Hamasit është larguar nga Kajro dhe se do të japë përgjigje me shkrim ndaj propozimit të Egjiptit për marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

GazaGjenocidIzraeliKatariPalestinaXho Bajden (Joe Biden)