BËRLLOKHANE

Janë bërë dy javë e sa që ndërmarrja që merret me higjienën publike s’ka shkelur në rrugën tonë për t’i ngritur koshat e plehrave të shoqëruar me  qeska plus përplot, të copëtuara nga qentë. Një pamje për të vjellë. Bisedojmë në shtëpi të blejmë koshin nr. 2, që mbetjet së paku t’i kemi të deponuara e jo të shkapërderdhura gjithandej e t’i mbledhim një nga një me dorë. Propozimi, duke qenë se paguajmë faturat rregullisht dhe se edhe 4 konteinerë nuk do mjaftonin nëse të mbeturinat nuk merreshin nga kompania, me të drejtë, nuk kaloi në ‘parlamentit shtëpiak’.

Para do kohe një televizion nacional, “Kanal 5”, dha një kronikë të kryeqytetit, Shkupit, të pushtuar cep më cep nga mbetjet, më saktë, nga kodra bërlloku, nga pjesët periferike ku valojnë flamujt gjigantë shtetërorë deri në qendër, deri te Qeveria, Ura e Gurit që konsiderohet si perlë arkitektonike dhe historike e këtij qyteti dhe më gjerë. Pamjet trishtuese dhe denigruese. Gjendja si më keq! Një metropolë e turpit tonë kolektiv. Të mos flasim për zonat rurale ku çdo përrua është bërë mini deponi e vullnetit individual, e bashkëshoqëruar nga shumë të tjerë. Dhe këto mbetje, bashkë me gomat,  shpesh ndizen, kallen për t’u eliminuar, duke dëmtuar gjithë ata që jetojnë përreth.

Tmerri ekologjik tek i cili kemi arritur nga kultura e ulët për higjienën, pastërtinë, estetikën. Vetëm një popull pa vetëdije për shëndetin dhe të bukurën mund të krijojë pamësi të këtillë të shëmtuar. “Gjithë shteti i shndërrua në recycle bin” – komenton një qytetar maqedonas etnik. “Plebs i thjeshtë me neurone të mjaftueshme vetëm për funksione fiziologjike” – komenton një tjetër në rrjetet sociale.

Mbetjet dhe sistemi i tyre është një kategori kyçe për të kuptuar konceptin e një populli apo komuniteti mbi vlerat.  Mbeturinat nuk janë thjesht “gjërat e këqija” që i hedhim, trajtimi i tyre është refleksion i botës tonë të brendshme, i imuplseve tona interne, i pozitës tonë në shkallaren e civilizimit. Hulumtimet tregojnë se faktorët kulturorë ndikojnë në përfshirjen e njerëzve me reciklim dhe minimizim të hedhurinave. (Mintz, 2019) Një popull mund të sillet kështu si ne me mbeturinat vetëm nëse gjithë hapësirën jashtë shtëpisë së vet e konsideron deponi. Shumë njerëz aq pedantë janë në shtëpi e në oborr e aq të pacipë e të pakulturë jashtë. Kjo është një qasje makabre, anticivilizuese. Koshe të zbrazëta dhe parqe përplot pet-shishe, qeska, konserva, mbështjellës ëmbëlsirash e shumëçka tjetër. Autostrada, rruga rajonale: bërllokhane.

Si të arrijmë të krijojmë sjellje pro-mjedisore te frymorët tanë humanë? Si të prodhojmë pjekuri amvisërie për menaxhim të mbetjeve (waste management)? Çfarë duhet të ndryshojmë në perceptrimin tonë dhe në sjelljet sociale dhe ato të nivelit kulturor? A duhet të aplikohen politika të shpërblimit dhe ndëshkimit për të ndryshuar kursin në këtë drejtim? Si të arrijmë të vetëbindemi për nevojën e përvetësimit të kulturës së 3R-vë, reduktim, ripërdorim, reciklim në kohën e konsumerizmit masovik? Këto janë pyetje për të cilat duhet të lodhim kokën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit