BERDYAEVI PËR EUROAZINË

Euroazianizmi lindi në mesin e emigrantëve rusë, që e braktisën Rusinë pas Revolucionit të Tetorit dhe Luftës Civile. Si lëvizje kulturore dhe politike u mbështet në idetë e filozofëve rusë të shekullit XIX dhe XX. Ideologët e kësaj lëvizjeje e theksuan se qytetërimi rus ishte i pavarur. As europian, as aziatik. Rusia, sipas tyre, kulturalisht ishte më e afërt me Azinë se me Europën Perëndimore. Sot kjo lëvizje është udhërrëfyese e politikës ruse të dirigjuar nga Putini.

Në Rusinë post-sovjetike u shfaq lëvizja e Neo-euroazianizmit. Njëri nga ideologët kryesorë është Aleksandar Dugini, që është quajtur si “filozofi i Putinit”.

Neo-euroazianizmi e pretendon krijimin e perandorisë euroaziatike të dominuar nga Rusia dhe si sfiduese ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Pretendon ta përfshijë edhe Ballkanin. Nëse jo si territor, atëherë në planin kulturor.

Euroazianizmi, sipas disa studiuesve, u ndikua edhe prej sprovës “Origjina dhe kuptimi i komunizmit rus” nga filozofi i ekzistencializmit personal Nikolai Berdyaev-i (ose Bergjaev), gjegjësisht nga thënia e tij se “pikëpamjet politike dhe gjendjet shpirtërore të Euroazisë meritonin simpatinë më të madhe”. Madje, thuhet se Putini ua rekomandoi vartësve të tij që t’i lexonin librat e Berdyaevit. Me gjasë, nuk ua ka sugjeruar sprovën “Euroazianizmi”, që Berdyaevi e botoi në Eurasian Herald të Berlinit, në vitin 1925, ku jo vetëm nuk i pranon parimet kyçe të euroazianizmit, por i konsideron të huaja për të, ndërkaq ideologët i quan etatistë dhe armiqësorë kundrejt kulturës perëndimore.

Në këtë sprovë filozofi i veçoi ca aspekte pozitive dhe shumë aspekte negative të euroazianizmit, të cilin nuk e quajti drejtim intelektual, por emocional, që mund të çonte në lindjen e fashizmin rus.

Aspektet pozitive të euroazianizmit, që i veçon Berdyaevi, janë: se euroaziatikët e pranonin që pas çdo krize të madhe botërore fillonte epokë e re historike; se ata kulturës i dhanë përparësi kundrejt politikës; se e kuptuan që çështja ruse nuk ishte politike, por shpirtërore dhe kulturore; se e mbrojtën me spontanitet dhe emocionalisht dinjitetin e Rusisë, të popullit rus dhe atij perëndimor, teksa shtresa e lartë e shoqërisë ruse, e goditur nga revolucioni, ishte denacionalizuar; se mendonin që Europa pushonte së qeni monopoliste në planin kulturor; se besonin që kultura nuk do të ishte më ekskluzivisht europiane; se popujt e Azisë do të hynin në rrjedhën e historisë botërore.

Aspektet helmuese të euroazianizmit, sipas Berdyaevit, janë të shumta, gjegjësisht: se euroazianizmi nuk ishte drejtim demokratik, por popullor; se e mbiçmonte rëndësinë e masave popullore në sistemin e ardhshëm në Rusi; se euroaziatikët, edhe pse e ndjenin krizën botërore, nuk arrinin ta kuptonin se fundi i një historie e nënkuptonte fillimin e një epoke të re universale, ashtu si epoka helenistike; se nacionalizmi e shënonte lindjen e një epoke të re, por kohët e ekzistencës së mbyllur kombëtare, sipas tij, kishin përfunduar, kurse organizmat kombëtare zhyteshin në ciklin botëror dhe në shtrirjen e botës, ndërkaq autarkia e Perëndimit pushonte, siç pushoi autarkia e Lindjes; se epoka helene ishte epokë e kulturës “euroaziatike”, por vetëm si bashkim i Lindjes dhe Perëndimit, i Azisë dhe Europës, që e përgatiti terrenin për krishterimin; se euroazianizmi modern ishte armiqësor ndaj universalizmit dhe e imagjinonte llojin kulturor e historik euroaziatik si të mbyllur dhe statik; se euroaziatikët donin të mbeteshin nacionalistë të tërhequr nga Europa, por armiqësorë ndaj saj; se euroazianizmi ishte vetëm term gjeografik, që nuk fitonte kuptim kulturor dhe historik; se ishte mbyllje dhe vetëkënaqësi, kurse hapja dhe hyrja në gjerësinë botërore nuk ishte nënshtrim ndaj parimeve perëndimore, por ndikim dhe zbulim shpirtëror i Rusisë ndaj Perëndimit dhe vetëm kështu duhej të formohej universi i vetëm frymor, për të cilin populli rus duhej të jepte kontributin e madh.

Për shkak të qasjeve të mësipërme, Berdyaevi i quajti euroaziatikët “reaksionarë shpirtërorë”; “kundërshtarë të universalitetit dhe të shpirtit të Dostojevskit”; më të afërt me Danilevskin se me Dostojevskin, që mendonte se Europa Perëndimore ishte “tokë e mrekullive të shenjta”.

Urrejtja ndaj Perëndimit ishte thelbi i programit euroaziatik. Si i tillë, ky program, për Berdyaevin, ishte i rremë dhe jo i krishterë, sepse “të kultivosh mospëlqim dhe neveri për kombet tjera është mëkat”. Popujt, racat, botët kulturore, shkruan ai, nuk mund të ishin bartësit ekskluzivë të së keqes dhe të gënjeshtrave. Kjo nuk ishte qasje e krishterë, pasi krishterimi nuk e lejon shpërndarjen gjeografike dhe etnografike të së mirës dhe të së keqes, të dritës dhe të errësirës. Përballë Perëndisë, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra, nuk shpërndahen në Lindje dhe në Perëndim, në Azi ose në Europë.

Urrejtjen ndaj krishterimit perëndimor, katolicizmit, Berdyaevi e quajti mëkat dhe vrasje, mohim të shpirtit të popujve perëndimorë dhe refuzim të burimeve të jetës e të shpëtimit të tyre. Në këtë qëndrim të euroaziatikëve, sipas tij, kishte diçka thellësisht provinciale, të vjetruar dhe të trashëguar nga kohët e shkuara.

Berdyaevi tha se euroaziatikët ishin realistë në raport me kombin, por ishin nominalistë në raport me njerëzimin. Ky nominalizëm e pamundësonte njohjen e realiteteve të individualitetit njerëzor. Sipas tij, nëse njerëzimi ose gjithësia nuk është realitet, atëherë të gjitha fazat tjera janë të rrejshme. Euroaziatikët, në këtë mënyrë, u ishin kthyer veçantive pagane, të mposhtura nga fryma e krishterimit.

Euroaziatikët gjithashtu e theksonin se kultura e Europës Perëndimore nuk ishte universale, sepse brenda saj kishte dallime, siç ishin dallimet ndërmjet kulturës romane dhe gjermanike. Berdyaevi shtoi se kultura përherë ishte kombëtare, por ajo ishte mbikombëtare në arritje dhe universale në themelet e saj. Themelet universale të kulturës njerëzore, sipas tij, ishin romano-gjermanike dhe antike. Kultura ruse, shton ai, i kishte rrënjët në kulturën greke, ashtu si të gjitha kulturat e popujve europianë. Rusët, sipas filozofit, falë trashëgimisë së helenizmit nuk i përkasin vetëm Lindjes, por edhe Perëndimit. Nëse europianët ishin aristotelianë, rusët ishin platonikë.

Berdyaevi i kritikoi euroaziatikët sepse ishin më shumë krenarë për lidhjen e rusëve me Xhingis Kanin se me Platonin dhe mësuesit grekë të Kishës. Ai thotë se për euroaziatikët ortodoksia ishte vetëm fakt etnografik, folklorik, fakt qendror i kulturës kombëtare, prandaj krishterimi nuk kishte fituar hapësirë në Euroazi.

Filozofi ishte edhe kundër qasjes së euroaziatikëve për krijimin e një fronti të bashkuar me besimet jo të krishtera të Azisë Lindore vetëm që t’u kundërviheshin besimeve të krishtera të Perëndimit. Euroazia, si e tillë, ishte “tradhti e pjesshme e krishterimit”. Euroaziatikët, shton Berdyaevi, më shumë e donin Lindjen e Kserksit se Lindjen e Krishtit. Bolshevizmi, sipas tij, ishte produkt i “Lindjes së Kserksit”.

Berdyaevi e kritikoi edhe qasjen e euroaziatikëve për t’iu shmangur Rusisë së Dostojevskit, që i çonte rusët drejt paganizmit, vetëkënaqësisë dhe izolimit. Sipas filozofit, ndryshe nga euroaziatikët, Dostojevski kërkoi nga populli rus që të kishte nderim fisnik dhe të përhershëm ndaj përpjekjeve krijuese të frymës, respekt për mendimin dhe dashuri për cilësinë njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu
Comments (0)
Add Comment