BEI publikoi raportin që ofron rekomandime për rreziqet e lidhura me klimën

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) publikoi sot studimin e gjerë të kryer nga grupi i punës i Nismës së Vjenës për ndryshimet klimatike dhe stabilitetin financiar, me titull “Gjelbërimi i sektorit financiar: Një perspektivë e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.” Raporti ofron njohuri dhe rekomandime të vlefshme për t’u orientuar në kompleksitetin e rreziqeve të lidhura me klimën dhe për të nxitur praktikat e qëndrueshme financiare në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ). Studimi thekson ndikimin e rëndësishëm të disponueshmërisë së kufizuar të të dhënave të ESG në EQLJ, çka redukton aftësinë e bankave për të menaxhuar me efikasitet rreziqet klimatike dhe minon efikasitetin e një mbikëqyrjeje të kujdesshme, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë që korporatat e mëdha brenda Bashkimit Evropian janë përshtatur me sukses ndaj kërkesave të fuqishme të raportimit dhe po plotësojnë kërkesat në rritje të standardeve të ESG, kompanive, veçanërisht mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) që janë të përhapura në rajon, shpesh u mungon informacioni i nevojshëm dhe ndërgjegjësimi për të kuptuar klimën dhe rreziqet financiare me të cilat përballen.

Sipas Ambroise Fayolle, zv/president i Bankës Evropiane të Investimeve: “Raporti nënvizon rolin kritik të sektorit financiar në drejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe arritjen e synimeve të tranzicionit të gjelbër të BE-së. Përpjekjet e koordinuara për të zhbllokuar potencialin e financimit të qëndrueshëm në rajonet e EQLJ-së janë vendimtare për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm. BEI si bankë e BE-së për klimën është plotësisht e përkushtuar për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për bizneset dhe për të mundësuar kalimin drejt burimeve të rinovueshme.”

Katalizatorët në zhvillimin e financave të qëndrueshme në të gjithë EQLJ-në mund të jenë filialet vendase në pronësi të huaj, duke pasqyruar praktikat më të mira të vendeve të tyre të origjinës, duke u siguruar që bankat mëmë të zbatojnë kuadrin e tyre të menaxhimit të rrezikut për filialet.

Për më tepër, raporti trajton çështjet kyçe rregullatore dhe mbikëqyrëse, duke theksuar domosdoshmërinë për një mbikëqyrje të fortë dhe testim stresi të aktiviteteve të bankave në lidhje me rreziqet klimatike. Raporti gjithashtu thellohet në dekarbonizimin e sektorëve industrialë, të ndërtesave, si dhe, me një fokus të veçantë në sektorin e energjisë elektrike, identifikimin e barrierave për investime, kompleksitetet rregullatore dhe mundësitë e financimit për të lehtësuar tranzicionin e gjelbër në EQLJ. Pjesa e burimeve të rinovueshme në kërkesën për energji elektrike, për shembull, është vendosur të rritet nga rreth 30% sot në 50% deri në vitin 2030 dhe në 75–85% deri në vitin 2050.

“Raporti ofron një udhërrëfyes për vendet e EQLJ-së për të lidhur sektorët e tyre financiarë me parimet e qëndrueshmërisë”, shtoi Debora Revoltella, kryeekonomiste e Bankës Evropiane të Investimeve. “Trajtimi i boshllëqeve të të dhënave në të gjithë Evropën është i domosdoshëm për të përmirësuar mundësinë e kryerjes së krahasimeve dhe për të trajtuar me efikasitet sfidat duke zhvilluar kapacitetet e nevojshme dhe strategjitë financiare.”

Kujtojmë se një studim i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit të Klimës (PIK) i publikuar në revistën shkencore “Nature” tregoi se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë deri në vitin 2050 një rënie prej rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB). Shkencëtarët thanë se kjo shifër do të përkeqësohet nëse vendet nuk arrijnë të përmbushin objektivat për uljen e emetimeve.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI)Ndryshimet klimatike