Përmes një reagimi publik, Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim lidhur me vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin për vitin 2025, veçanërisht për Klasterin e Dytë: Tregu i Brendshëm. Sipas tyre, Raporti i Komisionit Evropian është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe tepër alarmues: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparimin e nevojshëm në funksionimin e tregut të brendshëm dhe në harmonizimin me standardet evropiane. Dhe kjo ka pasoja për secilin qytetar dhe për çdo biznes në vend, shkruan Portalb.mk.
“Komisioni Evropian vlerëson se pengesa të thella strukturore dhe mungesa e vendimmarrjes profesionale nga qeveria aktuale kanë ngadalësuar seriozisht përputhjen me acquis-in e Bashkimit Evropian. Ky klaster përfshin shtyllat kryesore të ekonomisë moderne: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit, pronësinë intelektuale dhe prokurimet publike. Dhe për secilën prej këtyre fushave, BE-ja ka vërejtje të rënda”, deklaroi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
Nga BDI kanë kritikuar qeverinë se nuk ka krijuar mekanizma funksionalë për të mbrojtur qytetarët nga praktikat e padrejta në treg.
“Edhe pse ligjet janë modernizuar, zbatimi i tyre mbetet i dobët. BE-ja vëren qartë nivel të ulët transparence dhe rrezik të lartë për korrupsion”, theksoi tutje Ademi.
Ademi theksoi se vonesat në zbatimin e reformave të parapara në “Growth Plan for the Western Balkans” rrezikojnë drejtpërdrejtë vonimin e tërheqjes së fondeve të garantuara nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë e Veriut.
“Ky është një alarm serioz. Plani i Rritjes parasheh fonde të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor, fonde që synojnë rritjen ekonomike, modernizimin e ekonomisë, mbështetjen e biznesit vendas dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Por këto fonde lëshohen vetëm nëse reformat përparojnë”, tha Ademi.
Nga BDI zotohen se BDI mbetet fuqimisht e përkushtuar që vendi: të harmonizojë plotësisht legjislacionin me acquis-in e BE-së, të garantojë konkurrencë të ndershme dhe të pandikuar politikisht, të forcojë në mënyrë të qëndrueshme mbrojtjen e konsumatorëve, të përshpejtojë zbatimin e reformave të Growth Plan, dhe të ndërtojë një ekonomi moderne, të hapur dhe plotësisht të integruar me standardet evropiane.
“Tregu i brendshëm është motori i ekonomisë së Bashkimit Evropian. Pa reformimin e tij të thellë dhe të sinqertë, dhe pa ritmin e duhur në Planin e Rritjes, integrimi evropian i vendit mbetet vetëm një premtim i pambajtur. BDI do të vazhdojë të jetë zëri që kërkon, propozon dhe mbron reformat që e afrojnë Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian dhe sigurojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët” përfundoi Ademi.
- LEXO: ANALIZË: Transfer historik, 1 miliardë euro për pensione, Gjykata Kushtetuese po vlerëson rritjen “lineare” të pensioneve (Infografik)
- LEXO: ANALIZË: Ekonomia me dhe pa syze “rozë”, vlerësimet e KE-së kundrejt vlerësimeve të Qeverisë së RMV-së dhe ekonomistëve
- LEXO: ANALIZË: Buxheti 2026 në RMV, zhvillim ekonomik apo vit zgjedhor (Infografik)