Sot në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) u vendos që lideri Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, transmeton Portalb.mk.
“Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve
thelbësore politike dhe ekonomike të vendit”, raportoi BDI-ja.
Në këtë takim u diskutua edhe për organizimin e brendshëm partiak, duke paralajmëruar se partia është e hapur për pranimin e personaliteteve..
“Kjo thirrje u drejtohet të gjitha subjekteve politike, asociacioneve shoqërore, intelektuale dhe profesionale, që të bëhen pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe e vizionit tonë të përbashkët për një shtet stabil, demokratik dhe të zhvilluar”, deklaruan nga BDI-ja.
Takimin e liderëve të cilin e inicioi kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duhet të mbahet nesër në Klubin e Deputetëve në Shkup. Nga partitë opozitare konfirmim për pjesëmarrje ka edhe nga “E Majta”, ndërsa lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi thirrjen për takim të liderëve për shfuqizimin e qeverisë teknike duke akuzuar se Mickoski “kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
Nga partnerët e koalicionit në Qeveri në takim nga koalicioni “VLEN” pritet pjesëmarrja e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe e liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Takimin e liderëve e kanë përshëndetur edhe Partia Liberale -Demokratike dhe RDM-ja.