Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar qeverinë se po injoron paralajmërimet për rritjen e çmimeve dhe rreziqet ndaj standardit jetësor të qytetarëve. Sipas BDI-së, nga java e ardhshme pritet një rritje e re e çmimeve të derivateve të naftës, bazuar në zhvillimet në bursat ndërkombëtare të energjisë. Partia paralajmëron se kjo mund të sjellë edhe shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve. BDI u bën thirrje institucioneve të shqyrtojnë propozimet e saj për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria vazhdon të jetë e shurdhër ndaj paralajmërimeve dhe të injorojë rreziqet që kërcënojnë standardin jetësor të qytetarëve, duke mos ndërmarrë masa për t’i mbrojtur ata nga goditjet e reja të çmimeve. Të gjitha parashikimet profesionale dhe lëvizjet në bursat ndërkombëtare të energjisë tregojnë se nga e hëna e ardhshme pritet një rritje e re dhe e ndjeshme e çmimeve të derivateve të naftës. Kjo rritje rrezikon të shkaktojë një valë të re të shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve, duke rënduar edhe më tej barrën mbi familjet dhe bizneset”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim edhe u bën thirrje institucioneve kompetente që të marrin në konsideratë propozimet e tyre të paraqitura ditë më parë, me qëllim “që t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe kompanive dhe të parandalohet një goditje e re e çmimeve që në fund do ta paguajnë të gjithë qytetarët”.
“Nëse për zbatimin e këtyre masave nevojiten vendime përmes Kuvendit, BDI edhe një herë shpreh gatishmërinë për mbështetje të plotë, në mënyrë që kjo krizë të mos bjerë mbi barrën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.
Ditë më parë BDI reagoi ndaj rritjes së çmimit të derivateve të naftës, duke akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e situatës dhe mungesë masash për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas partisë, rritja prej 15 denarësh për litër përbën goditje për ekonomitë familjare dhe bizneset. BDI kërkon që Komisioni Rregullator për Energjetikë të rishqyrtojë vendimin për çmimet, ndërsa rezervat shtetërore të naftës të hidhen në treg me çmim maksimal prej 71 denarësh për litër. Gjithashtu, partia propozon uljen e barrës fiskale për derivatet dhe kontrolle nga inspektoratet për të parandaluar abuzimet në treg.