Komisioni Evropian ka njoftuar një paketë të re mbështetjeje prej 171 milionë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Fondet janë të dedikuara për infrastrukturë dhe zhvillim të bizneseve, transmeton Portalb.mk.
Mbështetja financiare përfshin investime nga burime të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Përfitues janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kosova nuk është përfshirë në këtë paketë.
Paketa përfshin projekte investimi dhe asistencë teknike të miratuara dje. Sipas Komisionit Evropian, kjo mbështetje forcon angazhimin e BE-së për rritje të qëndrueshme dhe lidhshmëri rajonale.
“Projektet kryesore përfshijnë: zbatimin e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri; përmirësimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut; ndërtimin dhe rinovimin me efikasitet energjetik të objekteve arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi; elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë në Shqipëri; dhe projektin e ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza në Bosnjë e Hercegovinë”, thanë nga Komisioni Evropian.
Projektet do të zbatohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
Komisioni Evropian përmendi edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.