Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ftoi Kanadanë të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së. Në një ofertë të paprecedentë të bërë sot, von der Leyen tha se BE-ja dhe Kanadaja e shohin botën me të njëjtët sy, përmes vlerave të përbashkëta demokratike dhe qasjeve të përbashkëta ndaj shumë çështjeve të mëdha – nga inteligjenca artificiale dhe kriza klimatike deri te lufta në Ukrainë dhe gjeopolitika, raporton Reuters.
Duke folur në prani të kryeministrit kanadez Mark Carney në Parlamentin Evropian në Strasburg, ajo tha: “Duam t’i ngremë marrëdhëniet me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm. Duhet urgjentisht t’i rishikojmë dhe t’i ripërcaktojmë partneritetet tona. Prandaj, do të doja të bashkëpunoja me ju për hapjen e derës që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së”.
Carney, i cili nesër pritet t’i drejtohet Parlamentit, bëri thirrje për një aleancë të bashkuar me BE-në, ndërsa Kanadaja po përpiqet të zvogëlojë varësinë e saj të madhe nga tregtia me SHBA-në.
Kanadaja dhe BE-ja tashmë kanë një marrëveshje tregtare dhe një sërë marrëveshjesh dypalëshe, por marrëdhëniet mes tyre janë afruar pasi Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë dhe rriti tarifat për të dy aleatët e vjetër, duke folur vazhdimisht për mundësinë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të amerikan dhe duke bërë kritika të ashpra ndaj BE-së.
Von der Leyen tha se marrëveshja ekzistuese tregtare mes BE-së dhe Kanadasë do të përmirësohet në një aleancë për të ardhmen, me qëllim krijimin e hapësirës për prosperitet të përbashkët dhe siguri ekonomike.
Ajo njoftoi se të dyja palët do të krijojnë gjithashtu një aleancë teknologjike, do të integrojnë bazat e industrive të mbrojtjes dhe do ta bëjnë Arktikun një projekt të përbashkët kryesor. Përfaqësuesit e BE-së janë veçanërisht të interesuar për burimet energjetike dhe burimet natyrore të Kanadasë. Von der Leyen propozoi bashkëpunim në fushat e energjisë, lëndëve të para kritike, baterive, inteligjencës artificiale, kompjuterizimit kuantik, sigurisë kibernetike dhe sigurisë ekonomike.
BE-ja, e cila ka 27 shtete anëtare, deri tani nuk ka pasur një kategori të anëtarësimit të asociuar, megjithëse mban marrëdhënie të ngushta me Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën, duke mundësuar integrim të thellë ekonomik me këto vende që respektojnë shumë nga rregullat e BE-së. Mbetet të shihet se çfarë do të nënkuptonte saktësisht anëtarësimi i asociuar, përfshirë edhe sa i përket marrëdhënies së Kanadasë me tregun e përbashkët të BE-së.
Kur Mbretëria e Bashkuar negocioi marrëdhëniet e saj me bllokun pas Brexit-it, përfaqësuesit e BE-së theksuan vazhdimisht se nuk ekziston një status që do t’i mundësonte një vendi të huaj të ishte „gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë“ tregut të përbashkët. BE-ja gjithashtu mbrojti fuqishëm refuzimin e kufizimit të katër lirive të tregut të saj të brendshëm – lirinë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. BE-ja dhe Kanadaja pritet të mbajnë një samit në fund të tetorit për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ideve.
Pritet që Carney të pritet me entuziazëm kur t’i drejtohet Parlamentit Evropian. Qasja e tij ndaj përballjes me Trumpin ka marrë vlerësime të gjera nga eurodeputetët.
Muajin e kaluar, Carney njoftoi se po i ndërpriste negociatat tregtare me SHBA-në, duke thënë se Kanadaja nuk do të nënshtrohet, ndërsa më pas vendosi tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë miliarda dollarë. Në të kundërt, BE-ja vitin e kaluar pranoi tarifa prej 15% për shumë mallra evropiane, ndërsa hoqi dorë nga tarifat e veta për të shmangur një luftë tregtare me Trumpin.