Bashkëshortja e një kryetari komune të VMRO-së e zëvendësoi gruan e zyrtarit të LSDM-së në Këshillin Gjyqësor

Zgjedhja e gjyqtares nga Apeli i Shtipit, Danka Ristova, si anëtare e re e Këshillit Gjyqësor shkaktoi reagime të ashpra për shkak se është bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Radovishit, e cila vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së në pushtet. Më e zëshmja ishte LSDM-ja opozitare, e cila kritikoi se VMRO-DPMNE po instalon kuadrot e veta në gjyqësor. Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Vera Koco, në një debat në emisionin “360 Gradë” në MRT 1, tha se Danka Ristova fitoi zgjedhjet gjyqësore në të cilat kishte shumë kandidatë dhe ajo mori shumicën e votave në krahasim me disa që morën nga një votë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk shoh asnjë lidhje sepse i shoqi është kryetar komune. Kanë qenë gjyqtarët që kanë vendosur që ajo të jetë anëtare e Këshillit Gjyqësor. Ata duhet të pyesin veten nëse kanë marrë vendimin e duhur. Megjithatë, në këtë rast nuk e shoh pse veprimtaria e burrit të saj lidhen me të. A nuk ka të drejtë ajo të konkurrojë? Ka të drejtë”, tha Koco.

Ivana Petkovska nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, tha se do të shihet në seanca se si do të veprojnë anëtarët e Këshillit.

“Do të ketë ndikim politik apo jo përmes anëtarëve të Këshillit, do ta shohim nga seancat dhe vendimet që ata marrin. Kësaj radhe e vetmja gjë për të cilën duhet përgëzuar është se Këshilli Gjyqësor ka publikuar biografitë e të gjithë kandidatëve që u propozuan për anëtarë të Këshillit Gjyqësor në mënyrë që opinioni, por edhe gjyqtarët që do t’i zgjedhin, të dinë se për cilin kandidat do të mund ta japin votën e tyre. Ky ishte gjithashtu një nga rekomandimet e Misionit vlerësues të BE-së. Pra, në atë pjesë është vërejtur transparencë dhe në përputhje me rrethanat janë publikuar biografitë”, tha Petkovska.

Sipas gazetarit Vasko Maglesov, fakt është se gjyqtarja ka 30 vjet përvojë dhe se shumica e kolegëve të saj kanë deklaruar se ajo duhet t’i përfaqësojë në Këshillin Gjyqësor. Por për të, disa gjëra janë ende të diskutueshme.

“Ajo që kemi parë deri më tani në Këshillin Gjyqësor është përzgjedhja e gjyqtarëve nga vetë gjyqtarët, për të cilën gjyqtarët u turpëruan më vonë. Nuk e di se si do të përfundojnë këto zgjedhje, por unë kam pasur kontakt me gjyqtaren e respektuar nga Shtipi në një seancë trajnimi ku ajo ka thënë hapur – nuk kam punë me gazetarë, puna ime është të gjykoj. Edhe pse u përpoqa t’i shpjegoja se të gjitha vendimet që ajo merr i merr në emër të qytetarëve dhe publiku duhet t’i dijë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me interes publik. Pres, duke qenë se jozyrtarisht emri i saj po qarkullohet si një nga kandidatët për kryetare të Këshillit Gjyqësor, që ajo të mbyllë Këshillin Gjyqësor për sa i përket publikut dhe transparencës, gjë që mund të jetë paksa problematike sepse kemi një sektor joqeveritar shumë aktiv, duke përfshirë gazetarët. Nuk e di se si do të ndodhë. Ndoshta kur fiton një lloj fitoreje ose kur fiton disa të drejta më të mëdha, është e vështirë të kthehesh prapa. Megjithatë, duke e njohur atë personalisht, mendoj se këtu do të ketë një nivelim të marrëdhënieve. Më lejoni të them vetëm se ajo është gjyqtarja që së bashku me gjyqtarët Vesna Dimitrievska dhe Sllavço Tasev praktikisht ia ulën dënimin ish-kryetarit të Komunës së Novosellës, Boro Stojçev, për kontrabandë cigaresh para disa viteve”, tha Maglesov. 

Ndryshe, Danka Ristova zëvendëson Loreta Gorgievën, gjyqtare nga Strumica, e cila nga ana tjetër u kritikua se është krah i zgjatur i LSDM-së në Këshillin Gjyqësor për shkak se bashkëshorti i saj është zyrtar i kësaj partie në nivel lokal.

Në pyetjen se si Danka Ristova nuk do të jetë më përfaqësuese politike në atë organ, Koco tha se nuk duhet të jetë pengesë që askush nga familja të avancojë.

“Nëse mbajmë llogari se kush është ku është dhe kjo bëhet pengesë për një pjesëtar të familjes, mendoj se tashmë është diskriminim në një farë mënyre. Megjithatë, diçka tjetër duhet të merret parasysh. Kë zgjedhin gjyqtarët… Mendoj se në drejtësi ka situata të tilla, për t’iu përshtatur realitetit të ri. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se besueshmëria e gjyqtarëve tanë nuk është në nivelin që duhet të jetë. Një gjyqtar duhet gjithmonë të marrë parasysh se çfarë do të ndodhë nëse ndërmerr një veprim, ndërsa pas tij qëndron diçka tjetër. Nuk do të kalojë shumë kohë që publiku ta kuptojë këtë. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se nëse vetë gjyqtarët zgjedhin dikë që mendojnë se duhet t’i përfaqësojë atje, atëherë kjo është mirë. Por a e kanë bërë atë zgjedhje me ndershmëri, a besojnë tek ai person se do të japë vërtet maksimumin në përfaqësimin e tyre”, thotë Koco.

Petkovska, nga ana tjetër, beson se të gjitha proceset fillojnë me dyshimin dhe mosbesimin se dikush ka ndikim në punë.

“Do të ishte mirë që kjo të shihej nga veprimet e anëtarëve të Këshillit, por një moment shumë i rëndësishëm dhe kyç këtu do të jetë Këshilli Gjyqësor, veçanërisht në fushën e transparencës. E kemi theksuar vazhdimisht se ky është ligji, kjo është rregullorja e Këshillit Gjyqësor, që është se të dhënat se cili anëtar i Këshillit ka votuar për çdo vendim duhet të publikohet. Ka votuar pro apo kundër? Fatkeqësisht, ende nuk kemi të dhëna të tilla nga Këshilli Gjyqësor. Konkretisht për zgjedhjet në Gjykatën e Apelit në Shkup vitin e kaluar, ne si Koalicion me Qasje e kemi kërkuar atë informacion dhe është në dispozicion. Këshilli Gjyqësor i ka të dhënat se cili anëtar i Këshillit si ka votuar për çdo vendim, por ato duhet të bëhen publike”, thotë ajo.

Ndër shembujt e përmendur në debat ishte edhe Islam Abazi, i cili u zgjodh kryetar i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThPNKOK) në zgjedhje të drejtpërdrejta. Ai është me origjinë nga Zajas, fshati ku ka lindur dhe jeton kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Kundërshtimet ndaj zgjedhjes së tij ishin afërsia me zyrtarët e BDI-së, nga të cilat dolën edhe fotografi.

Magleshov tha se në praktikë rezultoi se reagimet ishin pak a shumë të justifikuara.

“Ne japim shumë shanse, me siguri. Që para dy ose tre muajsh e kam që Ristova do të zgjidhet në Këshillin Gjyqësor, sepse ky ishte informacionet e mia ishin të tilla. Ja, këtu u tregua se informatat janë të sakta. Në thelb dilema ishte nëse do të përfundonte si gjyqtar suprem, pasi kishte ambicie të tilla, apo do të hynte në Këshillin Gjyqësor, ndërsa ka disa vite para pensionit, tre apo katër. Por në thelb ajo që thoni është e saktë. Pse? Në Këshillin Gjyqësor ka pasur gjyqtarë që në mënyrë të kundërligjshme kanë marrë vendim për shkarkimin e Vesna Damevës. Këta janë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqtarët”, theksoi Magleshov.

Gjyqtarët Ariton Alla nga Gjykata e Apelit Shkup dhe Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip janë zgjedhur anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor pas zgjedhjeve që u mbajtën dje në vendvotimet në të gjitha gjykatat anembanë vendit.

Gjyqtari Ariton Alla ishte i vetmi kandidat në listën zgjedhore për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të një liste të posaçme kandidatësh. Në anën tjetër, pesë kandidatë për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit ishin nga zona e Shtipit, ndërsa numrin më të madh të votave e mori gjyqtarja Danka Ristova.

Këshilli Gjyqësor RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)VMRO-DPMNE