Në eventin ndërkombëtar që mbahet çdo vit në Londër, ku ndahen çmime për profesionistët më të mirë shëndetësorë nga British Healthcare Awards dhe International Award of Excellence, doktor Bardhyl Rraci ishte nominuar si: “Kirurgu Oral më i Mirë i Vitit 2024” dhe kishte arritur deri në finale. Mbrëmë, në një konkurrencë globale, ai fitoi çmimin: “Kirurgu Oral i Vitit 2024”, duke ngritur kështu kirurgjinë orale të Kosovës në vendin e parë në nivel ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.
Bardhyli prezantoi rezultate të shkëlqyera të punës së tij me implante dentare në zonën estetike, trajtime bashkëkohore dhe të avancuara me implante, trajtime dentare të nofullave atrofike, ekstraksione të ndërlikuara të dhëmbëve të impaktuar, operacione të buzës dhe gingivës për qëllime estetike, etj.
“Ky sukses ju dedikohet të gjithë atyre që kontribuuan në zhvillimin e mjekësisë ne vendin tonë, duke filluar që nga profesorët pishtarë që themeluan Universitetin e Prishtinës, pastaj vazhdon me ata (kuadro) që e mbajtën si dritë të pashuar edhe në kohë lufte e paslufte…Mirënjohja arrin deri te profesorët dhe mentorët që kisha nga Londra, Berni, Bolonja, Frankfurti, Bari, Ankara, Milano, etj, të cilët më ndihmuan në rrugën time të zhvillimit shkencor”, ka thënë Raci.
Raci shtoi se ky çmim përfaqëson nivelin e lartë që ka sot fusha e kirurgjisë orale në Kosovë.