Në Maqedoninë e Veriut do të ketë rritje të bazës së interesit për shkak konflikteve të fundit në Lindjen e Mesme, ndërkohë u raportua se norma vjetore e inflacionit u ngadalësua në 4.8 përqind, në krahasim me 5.7 përqind sa ishte në prill, transmeton Portalb.mk.
“U mbajt mbledhja e rregullt e Bordit Ekzekutiv të Bankës Popullore mbi qëndrimin e politikës monetare. Në mbledhje u vendos që norma bazë e interesit të rritet me 0,25 pikë përqindjeje, pra nga 4% në 4,25%. Vendimi bazohet në të dhënat dhe informacionet më të fundit dhe vëzhgimet mbi efektet e zhvillimeve globale në ekonominë vendase”, raportoi Banka Popullore e RMV-së.
Banka ka thekuar se sektori i korporatave ka rritur kërkesën për valutat e huaja, ndërsa përkujtoi që në takimin e fundit të BQE-së ka pasur rritje të normës së interesit për 0.25 përqind.
“Që nga fillimi i majit, është regjistruar stabilizim i kërkesës për valutë të huaj, dhe informacionet më të fundit sjellin siguri më të madhe për qetësim të menjëhershëm të konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, pasojat ekonomike të zhvillimeve gjeopolitike janë të pranishme dhe pasiguria në lidhje me ritmin e stabilizimit të plotë të flukseve mbetet dhe vazhdon të krijojë rreziqe”, raportoi Banka.
Banka sqaroi se e ka për synim ruajtjen e kursit të këmbimit të denarit ndaj euros, si parakusht për stabilitetin e çmimeve.