Bane Zot andërr!

Historia thotë se dikur kemi jetuar në një territor shumë të gjerë, por me kalimin e kohës, për shkak të apetiteve gllabëruese të fqinjëve dhe pushtuesve egërshanë, u tkurrëm në të gjitha aspektet e mundshme.
Mjafton të përmendim vetëm disa nga krimet e bëra ndaj paraardhësve tanë, si dëbimet e dhimbshme nga Sanxhaku i Nishit, Sanxhaku i Shkodrës dhe shpërngulja me dhunë e mijëra familjeve shqipfolëse në shkretëtirat aziatike, të përgatitura me elaborate kriminogjene dhe me marrëveshje tinëzake që bëri me Turqinë e asokohshme, fillimisht Jugosllavia e Versajit, e më pas edhe ajo e Avnojit. Me këto akte gjenocidale u bë spastrimi i plotë etnik i disa krahinane ku jetonin me shekuj shqiptarët dhe u zgjeruan sinoret e  Botës Serbe, që ka zanafillë të hershme.

Projekti i fundit për spastrimin final të shqiptarëve të Kosovës ndodhi në kohën e grahmave të fundit të Jogosllavisë titiste, që mbeti në duart e Kasapit të Ballkanit, synimet e të cilit ishin në vijën e elaborateve të mësuesve të tij. Plani ishte shumë ogurzi, ndaj u kritikua edhe nga disa politikanë serbë, të cilëve nuk u pëlqeu shpërngulja me dhunë të hapur e shqiptarëve, nga frika se ajo do ta prishte keq imazhin e shtetit serb dhe do ta ngjallte simpatinë ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Shi për këtë, ata parapëlqenin dhunën e heshtur – përndjekjet e veprimtarëve dhe intelektualëve, burgosjet dhe largimin e tyre nga puna, varfërimin e popullatës së pambrojtur…, që, pas vitit 1981 kishin dhënë rezultatet e pritshme, duke qenë se brenda pak vitesh, nga Kosova u arratisën gjithandej botës mijëra të rinj që nuk kishin mënyrë tjetër për të siguruar ekzistencën personale dhe atë të familjarëve.
Shpërnguljet dhe arratisjet e njerëzve nga vendbanimet e tyre u duk se morrën fund pas rrënimit të Murit të Berlinit dhe ndërrimit të sistemit monist me atë demokratik. Por, mjerisht, nuk ndodhi mrekullia e pritur prej vitesh. Për ironi të fatit, sado që duket si gjëmë e shpifur, shpërngulja që po na e merr frymën dhe po na vdes si etni me një temp tejet të shpejtë është ekzodi i paparë i rinisë sonë, që ndodh aktualisht në të gjitha trojet shqiptare.

Për hir të së vërtetes, duhet thënë se nga ikja masive e të rinjëve nga vendet e tyre nuk është  imun asnjë shtet i Ballkanikt dhe jo vetëm, por, për nga përqindja e të ikurve, rekodrin e siujdhësës trazavaçe e mbajmë ne. Kjo, sepse, në dallim prej të tjerëve, nga vendbanimet tona ikin edhe djem në moshë fare të re, ende pa kryer shkollimin e mesëm.

E kam thënë që herët, si shumë të tjerë, se: Situata  është alarmante dhe askush nuk duhet të mbyll sytë para kësaj tragjedie kombëtare. Qytetet po mbeten pa rini dhe pa të ardhme. Fshatra të tërë janë boshatisur dhe kanë mbetur vetëm me pleq, me ata që nuk kanë nga t’ia mbajnë. Pleqtë po bëhen shumicë edhe nëpër qytete. Shkollat që para pak vitesh kishin me qindra, tani kanë mbetur me disa nxënës. Në shumë vende ato janë mbyllur përsijeta. Lagjet që gumëzhinin nga zëret dhe lojërat e fëmijëve tani janë të qeta si varret. Vendbanimet malore janë në grahmat e fundit të jetës. Ato të fushës plot me shtëpi të reja luksoze, por me dritare të mbyllura me roletne, me oxhaqe që nuk timojnë më, me rrugina të mbuluara me barishte… Të gjitha janë shtëpi të ndërtuara jo për të jetuar më në to, po për të shuar mallin e të ikurve përgjithmonë nga vatrat stërgjyshore, për të mbajtur edhe për një kohë gjallë shpresën që vdes e fundit. Tani më edhe nëpër viset e njohura deri dje si më të populluarat në Ballkan, si puna e Pollogut, nuk mund të gjesh asnjë shkollë ku numri i nxënësve të klasave të nënta nuk është më i madh se ai i nxënësve të klasave të para, që tani nuk kalojnë numrin e gishtave të njërës dorë. Për pasojë po zvogëlohët dita më ditë numri  i nxënësve në shkollat e mesme dhe i studentëve nëpër auditoret universitare, ku dominojnë vajzat, sepse djemtë shtegëtojnë pak më herët se ato…
Ky është momenti kur duhet të ndërmerren masa serioze për ndaljen e ekzodeve masive, kur ikin njësoj, si të papunët edhe ata që janë sistemuar diku me paga mizerje, me të cilat mund të sigurojnë vetëm shkopin e lypsarit. Duhet bërë diçka urgjentisht, sepse rinia e ka humbur shpresën për të nesërmen dhe shpëtimin e sheh në braktisjen e vendlindjes. Duhet bërë diçka sa ka një trohë shprese, diçka që kapërcen përtej filozofisë fataliste: Bane Zot andërr!

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit