Ballkani Perëndimor deri më 2027 zero roaming me BE-në, paralajmëroi Bregu

Perspektiva e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nuk është më një proces datash, BE-ja po ndryshon, ndoshta duhet të ndryshohet edhe perspektiva drejt detyrave, thotë për Radion Evropa e Lirë, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Bregu ishte sekretare në detyrë, pasi në tre vjetët e fundit 13 shtetet anëtare nuk kanë arritur një kompromis për këtë pozitë. Të mërkurën në Shkup, para samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, u arrit marrëveshje që sekretar i ri i përgjithshëm të jetë Amer Kapetanoviq.

Radio Evropa e Lirë ka folur me Bregun për punën e saj të mëparshme në krye të Këshillit, projektet e realizuara, problemet e përbashkëta dhe të ngjashme të vendeve të rajonit. Për pasardhësin e saj, Amer Kapetanoviq, thotë se e presin sfida të reja.

Si të arritur të madhe të Këshillit, Bregu e vlerëson edhe uljen e çmimit të roamingut apo të bisedave telefonike me vendet evropiane, ndërsa beson se deri në vitin 2027 do të ketë zero roaming me BE-në.

“Pra, presim që ky të jetë një proces hap pas hapi. Dita e roamingut – si në shtëpi, apo roaming me tarifa zero – shpresoj të jetë e mundur deri më 2027. Por, siç thashë, i urrej datat. Mund të bëhet më shpejt. Për mua, kjo mund të ndodhë që sonte. Por, unë nuk jam operator telekomi”, deklaroi Bregu.

Ndryshe, nga 1 tetori hyri në fuqi marrëveshja mes operatorëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për uljen e çmimeve të roaming. Të gjithë banorët e Maqedonisë kur të shkojnë jashtë vendit do të kenë ulje të çmimeve prej 30 përqind.

Ndryshe, nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Aplikacion (App) celular - telefonikBallkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)InternetiMajlinda BreguRoamingTelefon celular