Adnan Azizi, deputet i koalicionit VLEN, sot me shumicë votash u zgjidh kryetari i tetë i Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive, raporton MIA.
“Kërkoj të kemi bashkëpunim të mirë në të ardhmen, në mënyrë konstruktive, Komiteti të shërbejë për debate konstruktive”, porositi ai, duke falënderuar për zgjedhjen që pasoi pas një pauze të shkurtë që u dha në kuadër të mbledhjes së parë të Komitetit.
Deputetët Azizi dhe Arbana Pasholli u propozuan për kryetar të tetë të Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive në mbledhjen e sotme të parë kuvendore të këtij komiteti.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve e uroi zgjedhjen për anëtarë të Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive.
Ai sqaroi se në këtë përbërje të Komitetit nga gjithsej 19 anëtarë, të cilët zgjidhen nga radhët e deputetëve të Kuvendit, ka shtatë anëtarë nga radhët e deputetëve – maqedonas, po aq nga radhët e deputetëve shqiptarë, nga një nga radhët e deputetëve – turq, vllahë, serbë dhe boshnjakë.
“Meqenëse nga radhët e deputetëve në kuvend mungonte një deputet rom, në pajtim me Ligjin për Komitetin për marrëdhënie mes bashkësive u njoftua avokati i popullit dhe ai pas konsultimeve me përfaqësuesit relevantë të kësaj bashkësie, plotësisht propozoi anëtar të Komitetit nga bashkësia rome. Ai është zotëri Jashe Sefer. I krijuar me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, ky Komitet ishte paraparë të jetë forum kryesor për dialog dhe diskutim mes bashkësive për çështje kyçe që mund të kenë efekt ndaj marrëdhënieve etnike. Nëse të gjutha palët tregojnë respekt ndaj këtij trupi dhe e përdorin siç është paraparë, Komiteti do të bëhet institucion i njohur. Ndjenjat ndaj Marrëveshjes së Ohrit edhe pas shumë vitesh të nënshkrimit të saj, mbeten të ndara, por, pjesa më e madhe e qytetarëve konsiderojnë se ka përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike dhe se implementimi i saj e stabilizon shtetin”, tha Gashi.
Ai shtoi se “aspekt i rëndësishëm në punën e Komitetit është autorizimi i tij të vendosë në rast të ndonjë kontesti gjatë zbatimit të procedurës së votimit në Kuvend për ligje kur për to nevojitet shumicë e posaçme”.
“Rëndësia e Komitetit është aq e madhe, që Kuvendi është i detyruar t’i shqyrtojë mendimet dhe propozime e tij dhe të sjellë vendime lidhur me to”, theksoi Gashi.
Ai nënvizoi se po zgjidhet kryetari i tetë i Komitetit duke filluar nga viti i largët 2003, kur për herë të parë ishte konstituuar Komiteti dhe ishte zgjedhur kryetari i tij i parë.
Kaltrina Beqiri e propozoi Adnan Azizin ndërsa Arbana Pasholli u propozua nga Dijana Toska.