Avionët e NATO-s rrëzuan një dron mbi Lituani

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, deklaroi se avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron në hapësirën ajrore të Lituanisë. Autoritetet thanë se droni me gjasë ka hyrë në jug të Lituanisë, pranë qytetit të dytë më të madh, Kaunas, nga Bjellorusia fqinje, pak pas mesnate, raporton The Guardian.

“Një dron që sapo kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s”, shkroi Nausėda në X.

Origjina e dronit ende nuk është përcaktuar. Gjatë natës, në kryeqytetin Vilnius dhe në rajonin përreth u lëshuan alarme për dronë.

“Forcat e Armatosura të Lituanisë dhe pilotët italianë që shërbejnë në Misionin e Mbrojtjes Ajrore të NATO-s reaguan shpejt dhe me përgjegjësi ndaj inkursionit të dronit”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë.

Lituania ndan një pjesë të madhe të kufirit të saj jugor dhe lindor me Bjellorusinë, aleate e rëndësishme e Rusisë. Dronë janë vërejtur në vend edhe gjatë fundjavës. Qendra për Menaxhimin e Krizave më vonë njoftoi se një objekt me gjasë kishte hyrë nga Bjellorusia dhe kishte fluturuar mbi territorin e vendit, para se të hynte në hapësirën ajrore ruse.

DronLituaniaNATO (M)