Që nga shpallja e epidemisë në Gostivar më 19 korrik, autoritetet shëndetësore deri tani kanë evidentuar 1.149 persona të prekur nga enterokoliti, përkatësisht virusi i stomakut. Edhe pse ekspertët shëndetësorë paralajmëruan se numri i të infektuarve arrin në 4-5 mijë (numër i madh i të cilëve nuk janë paraqitur te mjeku), nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) për Meta shpjegojnë se shifra prej 1.149 bazohet vetëm në raportimet e mjekëve që diagnostikojnë rastet dhe i dorëzojnë ato tek instituti, transmeton Portalb.mk.
“Kur mjeku gjatë ekzaminimit diagnostikon sëmundje infektive, ai është i detyruar të plotësojë një raportim. Analizat tona gjithmonë janë bërë, bëhen dhe do të bëhen vetëm mbi të dhënat zyrtare nga raportimet për sëmundje infektive, ashtu siç përcaktohet me ligj. Gjatë korrikut tek ne janë dorëzuar 497 raportime për enterokolit nga Gostivari, ndërsa numri shtesë në gusht do të përfshihet në buletinin e gushtit. Deri më sot, në ISHP kanë mbërritur 1.149 raportime nga Gostivari“, shpjegon epidemiologu Dragan Koçinski nga ISHP-ja.
Ndërkohë, ISHP-ja publikoi buletinin për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive, në të cilin ka informacione për epidemitë në mbarë vendin gjatë muajit korrik. Sa i përket epidemisë në Gostivar, në të thuhet se Qendra e Shëndetit Publik – Tetovë/Njësia rajonale Gostivar, e ka evidentuar si epidemi të gastroenteritit.
“Epidemia është raportuar më 19 korrik, me dyshimin për një epidemi të shkaktuar nga uji, ku janë raportuar 140 persona të sëmurë dhe 9 persona të hospitalizuar. Ajo ende vazhdon“, thuhet në buletin.
Përndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e AUV-së dolën në terren së bashku me policinë pasi u regjistrua një numër i rritur i qytetarëve me probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve Prokuroria Publike i publikoi rezultatet sipas të cilave uji në Gostivar ka qenë jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim. Në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm.
Dy ditë pas raportimit të Portalb.mk dhe Meta.mk, më 14 gusht, në Gostivar ujë nga çezma e qytetit pinë një sërë zyrtarësh lokalë dhe shtetërorë. Mes tyre ishin edhe Zudi Xhelili, koordinator i shtabit lokal të krizës dhe i punësuar në Komunën e Gostivarit, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov, si dhe Shaqir Zulbeari, drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik në Gostivar.
Sipas tyre, analizat kanë treguar se uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë, përkatësisht rezultatet e marra kanë konfirmuar se uji është në rregull nga aspekti mikrobiologjik dhe bakteriologjik.