Atletja olimpike nga Uganda Rebecca Cheptegei, vdiq nga plagët e marra pasi i dashuri i saj i vuri flakën me benzinë

Atletja olimpike nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka vdekur në një spital kenian pasi pësoi 80% djegie në trupin e saj pas një sulmi nga partneri i saj të dielën. 33-vjeçari Cheptegei kishte marrë trajtim në Spitalin Mësimor dhe Referues të Moi në qytetin Eldoret. Një zëdhënës, Owen Menach, konfirmoi vdekjen e saj të enjten, raporton The Guardian.

Donald Rukare, president i Komitetit Olimpik të Ugandës, shkroi në një postim në X: “Kemi mësuar për vdekjen e trishtë të atletes sonë olimpike Rebecca Cheptegei … pas një sulmi të egër nga i dashuri i saj. U prehtë në paqe shpirti i saj i butë dhe dënojmë fuqishëm dhunën ndaj grave. Ky ishte një akt frikacak dhe i pakuptimtë që ka çuar në humbjen e një sportisteje të madhe”.

Komandanti i policisë së qarkut Trans Nzoia, Jeremiah ole Kosiom, kishte thënë të hënën se partneri i Cheptegeit, Dickson Ndiema, bleu një enë me benzinë, e derdhi mbi të dhe i vuri flakën. “Çifti u dëgjua duke u grindur jashtë shtëpisë së tyre. Gjatë sherrit, i dashuri u pa duke derdhur një lëng mbi gruan përpara se ta digjte”, tha Kosiom për gazetën Standard në Kenia. “I dyshuari gjithashtu është kapur nga zjarri dhe ka pësuar djegie të rënda.” Ndiema po trajtohej në të njëjtin spital me Cheptegei.

Prindërit e Cheptegei thanë se vajza e tyre bleu tokë në Trans-Nzoia për të qenë pranë qendrave të trajnimit atletik të vendit. Një raport i dorëzuar nga shefi i policisë lokale thotë se çifti para ngjarjes u dëgjua duke u grindur për tokën ku ishte ndërtuar shtëpia.

Muajin e kaluar, Cheptegei përfundoi e 44-ta në maratonë në Lojërat Olimpike të Parisit dhe ajo ishte e 14-ta në këtë garë në kampionatin botëror të vitit të kaluar në Budapest. Në vitin 2022, ajo fitoi garën malore në Kampionatin Botëror të vrapimit në mal dhe shtigje në Tajlandë.

KeniaVrasje - Ekzekutim