Atelia e vitit 1958 shndërrohet në muze, Besart Papa dhe misioni për t’i dhënë “shtëpi” skulpturës shqiptare

Besart Papa është një emër që e lidh natyrshëm të kaluarën me të tashmen e skulpturës shqiptare. Si skulptor, ai ka ndërtuar rrugën e tij artistike, ndërsa si trashëgimtar i veprës së Thanas Papës, ka marrë përsipër një mision të rrallë: ta ruajë, ta mbrojë dhe ta sjellë më afër publikut një pasuri të vyer të artit shqiptar. Në Tiranë, ai ngriti muzeun e parë të këtij lloji në Shqipëri, kushtuar veprës së të atit, duke e shndërruar atelierin e vitit 1958 në një institucion muzeal që sot ruan rreth 250 punime. Në intervistë për Portalb.mk, Besart Papa flet për skulpturën si thirrje, për peshën dhe frymëzimin e trashëgimisë, si edhe për përpjekjen për ta mbajtur artin të gjallë në kujtesën dhe jetën publike.

Portalb.mk: Cili është momenti kur e kuptuat se skulptura do të ishte rruga juaj e jetës, jo vetëm një pasion?

Besart Papa: Nuk ka qenë një vendim racional. Ka qenë një ndjesi që u rrit me mua. Jam rritur mes veprave dhe heshtjes së ateliesë së babait tim, Thanas Papa. Për një fëmijë, balta dhe gipsi ishin lodra, por me kalimin e kohës u kthyen në gjuhë. E kuptova që kjo ishte rruga ime kur ndjeva se skulptura nuk ishte diçka që bëja, por ishte mënyra si mendoja dhe si ndjeja. Kur mungesa e krijimit më shkaktonte boshllëk, atëherë e kuptova se nuk ishte një pasion kalimtar, por një thirrje.

Portalb.mk: Si e përkufizoni zërin tuaj artistik sot, çfarë ju dallon nga të tjerët?

Besart Papa: Zëri im artistik sot është një përpjekje për të ruajtur dinjitetin e figurës njerëzore, por duke i dhënë asaj tension bashkëkohor. Evolucioni im artistik ka nisur. Konceptimi kontemporan i kompozicionit është shprehur në disa nga veprat e mia, njëra prej të cilave është vepra “Valltarët”, e realizuar në vitin 2017 dhe e vendosur në një hapësirë publike në Tiranë.

Në veprat e mia ka gjithmonë një kërkim për brendësinë, jo vetëm për formën. Më intereson ajo që nuk shihet menjëherë, ajo që zbulohet me kohë.

Nëse do ta përkufizoja me një fjali: unë kërkoj të modeloj emocionin, jo vetëm trupin.

Prania ime në skenën e artit nuk vjen vetëm nëpërmjet ambicies sime personale për të krijuar, por tashmë edhe nëpërmjet “Art Museum Thanas Papa”, muzeu i parë dhe i vetmi i skulpturës i hapur në Tiranë, një muze i cili shfaq jetën dhe veprën e skulptorit Thanas Papa.

Portalb.mk: Çfarë roli ka trashëgimia e Thanas Papës në punën tuaj: frymëzim, përgjegjësi apo “peshë”?

Besart Papa: Është frymëzim, sepse kam parë nga afër çfarë do të thotë përkushtim absolut ndaj artit. Është përgjegjësi, sepse një emër kërkon integritet. Por, mbi të gjitha, është dialog. Nuk e kam ndjerë si peshë, sepse arti nuk trashëgohet si pronë; trashëgohet si etikë pune dhe si dashuri për formën. Sfida ime ka qenë të respektoj rrënjën, por të rritem në drejtimin tim.

Foto nga Thanas Papa portret bronz, autor Besart Papa. Foto: Besart Papa

Portalb.mk: Si lind një skulpturë tek ju: nga ideja, nga materiali apo nga një histori konkrete?

Besart Papa: Shpesh lind nga një ndjesi e papërkthyer. Një shqetësim, një pyetje, një figurë që më ndjek në mendje.

Pastaj vjen materiali. Balta më jep liri, guri më jep rezistencë, bronzi më jep përjetësi. Çdo material ka karakterin e vet dhe më detyron të dëgjoj. Procesi, për mua, është intim. Ka momente heshtjeje, reflektimi, madje edhe përballjeje me veten.

Portalb.mk: Sa e rëndësishme është për ju krijimi dhe mirëmbajtja e një muzeu të skulpturës? Si e shihni kulturën e vizitimit të muzeve tek ne?

Besart Papa: Një muze skulpture është më shumë se një hapësirë ekspozimi. Është kujtesë, është identitet, është urë mes brezave. Për mua, ruajtja dhe zhvillimi i një hapësire muzeale është detyrim moral ndaj historisë dhe ndaj publikut. Në vendin tonë, kultura e të vizituarit të një muzeu është në rritje, por ende e brishtë. Ne kemi nevojë ta bëjmë artin më të afërt, më të prekshëm. Muzeu duhet të jetë një vend ku njerëzit hyjnë me kureshtje, jo me distancë.

 

Pamje nga Muzeu. Foto: Besart Papa

Portalb.mk: Sa i shërben sot Shqipëria dhe rajoni skulpturës dhe artit publik?

Besart Papa: Ka energji dhe dëshirë, por shpesh mungon vizioni i qëndrueshëm. Arti publik nuk është zbukurim sezonal; është gjurmë që mbetet në hapësirë dhe në kujtesë. Ai kërkon standard, konkurs të ndershëm dhe kurim profesional.Kur investohet me seriozitet, arti publik bëhet pasqyrë e qytetarisë.

Portalb.mk: Cili është projekti juaj më i afërt dhe çfarë mesazhi doni të lini me të?

Besart Papa: Projekti im më i afërt lidhet me forcimin e rolit të skulpturës në hapësirën publike dhe me vazhdimin e punës për ta mbajtur gjallë trashëgiminë artistike si një organizëm të gjallë. Zhvillimi edhe më tej i pranisë së “Art Museum Thanas Papa” në jetën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe digjitalizimi i veprave në mënyrë që ato të bëhen më të prekshme për publikun dhe të garantohet ruajtja e tyre.

Mesazhi që dua të lë është se arti nuk është luks për pak njerëz. Ai është nevojë shpirtërore.

Një shoqëri që respekton artin, respekton veten.

Foto nga broshura Art Museum Thanas Papa. Foto: Besart Papa
IntervistëKultura shqiptareKulturë lajmeMuzeu