ASH Taravari akuzoi VLEN-in ndaj përjashtimit të shqiptarëve në Ditën e Policisë, Kasami: Do të kërkojmë sqarim nga MPB

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari ka reaguar pas ceremonisë së organizuar dje nga Ministria e Punëve të Brendshme për Ditën e Policisë, ku siç raportoi Alsat, nuk pati përdorim të gjuhës shqipe dhe asnjë polic shqiptar në mesin e 12 policëve të dekoruar si më të mirët. Nga ASH thonë se ky është një “përjashtim politik dhe institucional” ndaj shqiptarëve, ndërsa akuzojnë VLEN-in për heshtje përballë, siç e quajnë ata, nënçmimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“Skandali në Ditën e Policisë është dëshmi e qartë se në këtë qeveri shqiptarët nuk trajtohen si të barabartë. Në listën e 12 policëve më të mirë nuk figuron asnjë shqiptar, ndërsa në aktivitetin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk u pa asnjë shkronjë në gjuhën shqipe.Kjo nuk është rastësi, por është përjashtim politik dhe institucional. Pyetja është e drejtpërdrejtë për VLEN-in. Për çfarë jeni në Qeveri, nëse nuk arrini të mbroni as gjuhën shqipe, as dinjitetin e policëve shqiptarë, as përfaqësimin minimal në institucionet e sigurisë”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia e Taravarit thekson se shqiptarët kontribuojnë çdo ditë në institucionet e sigurisë dhe sakrifikojnë për rendin publik, por sipas tyre, kur vjen momenti i vlerësimit institucional, ata lihen jashtë.

ASH kërkon përgjegjësi dhe sqarim publik nga MPB për kriteret e përzgjedhjes së policëve të dekoruar, si dhe për mungesën e gjuhës shqipe në ceremoninë zyrtare të Ditës së Policisë.

Në reagim, ASH i bën thirrje edhe VLEN-it që të pozicionohet qartë.

“VLEN-i le të zgjedhë. Ose të reagojë si përfaqësues i shqiptarëve, ose të pranojë publikisht se në këtë Qeveri është vetëm spektator i nënshtruar”, thuhet më tej në reagim.

Lidhur me këtë çështje në Alsat foli edhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, i cili tha se do të kërkojnë sqarime nga zëvendësministri i Brendshëm dhe MPB-ja.

“Patjetër që ne do të duhet të flasim. Unë, me dinamikën që kemi pasur, edhe si kryetar Komune edhe me zhvillimet e VLEN, sepse e din opinioni që jemi në javën e fundit të përgatitjes së Kongresit të VLEN, nuk është që kam pasur informata, por patjetër nëse është ashtu siç thoni ju dhe nuk dyshoj që është ashtu, do të duhet të kemi një sqarim nga zëvendësministri (Astrit Iseni) dhe MPB se ose ka ndodhur një gjë e tillë”, deklaroi Kasami.

Ndryshe, ceremonia e Ditës së Policisë u zhvillua një ditë më parë në organizim të MPB-së. Sipas raportimeve, aktiviteti u mbajt vetëm në gjuhën maqedonase, pa mbishkrime dhe adresime në gjuhën shqipe. Po ashtu, në mesin e 12 policëve të shpallur më të mirët nuk kishte asnjë shqiptar, edhe pse dekorimet përfshinë pjesëtarë nga tetë sektorë dhe katër qendra rajonale të MPB-së, ndërsa pa përfaqësim mbeti edhe Tetova, ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, gjatë ceremonisë foli për uljen e kriminalitetit dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se niveli i krimit është më i ulëti në 20 vitet e fundit. Ndërkaq, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, deklaroi se policia e vendit qëndron krah policive moderne evropiane dhe botërore falë investimeve në modernizim dhe teknologji.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Astrit IseniBilall KasamiMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiPolicia e Maqedonisë së Veriut