Armenis Nokshiqi: E vërteta “e hidhur” e aktrimit këtu te ne është diskriminimi i heshtur institucional

Me rrëfime të ndjera për rolet që “ta marrin frymën” edhe pasi bie perdja, për lodhjen emocionale që nuk shihet nga publiku dhe për pritjen e gjatë të një realiteti më të drejtë artistik, përmes një bisede për Portalb.mk, aktorja Armenis Nokshiqi solli një vështrim mbi jetën e aktores në skenë dhe jashtë saj. Ajo foli për personazhet që e kanë shënjuar, të vërtetat e hidhura të artit në Maqedoninë e Veriut dhe projektet e reja që po përgatit.

Portalb.mk: Pas shumë roleve dhe shfaqjeve, cilin personazh e ke luajtur aq thellë sa ende “ta merr frymën” kur e kujton dhe çfarë të mori nga ti në jetën reale?

Armenis Nokshiqi: Pas shumë roleve dhe shfaqjeve, personazhi që ende më merr frymën kur e kujtoj është Ollga, motra më e madhe, te “Tre motrat” e Çehovit. Ai ishte rol që më detyroi të jetoja thellë në lëkurën e një gruaje që mbante barrën e të gjithë familjes mbi supe, në moshën 28-vjeçare, por tashmë e lodhur nga përgjegjësia, ëndrrat e thyera dhe dhembja e heshtur për një jetë që nuk po vinte kurrë siç duhej. Çfarë më merr frymën ende? Ajo ndjenja e pafund e detyrës që nuk të lë të marrësh frymë. Ollga, “çdo herë që thosha: mosha ime po kalon dhe unë ende pres…” në skenë, më dukej sikur po flisja për veten time, për brezin tim që pret “Moskën” tonë që nuk vjen kurrë.

Portalb.mk: Cila është e vërteta “e hidhur” e profesionit të aktrimit në Maqedoni që publiku nuk e sheh?

Armenis Nokshiqi: E vërteta “e hidhur” e aktrimit këtu te ne është diskriminimi i heshtur institucional dhe mungesa e mundësive reale për të përparuar. Shfaqjet e reja janë më pak, skenografitë modeste… ndërsa përgatitja e rolit që publiku nuk e sheh nuk është aspak e lehtë. Nuk flas vetëm për talentin apo punën e madhe në skenë. Përgatitja e një roli serioz kërkon kohë, qetësi mendore, lexim të thellë, prova intensive.

Foto nga arkivi personal i aktores Armenis Nokshiqi. Foto: Armenis Nokshiqi

Portalb.mk: Ke pasur ndonjë moment kur të kanë nënvlerësuar dhe ti e ke kthyer në forcë, si?

Armenis Nokshiqi: Fatmirësisht, në karrierën time të deritanishme nuk kam pasur një përvojë të tillë.

Portalb.mk: Cila është padrejtësia më e madhe që i bëhet aktorëve sot: paga, mungesa e roleve, kastingu, apo “emrat e njëjtë” që rrotullohen gjithmonë?

Armenis Nokshiqi: Padrejtësia më e madhe sot është kombinimi i emrave të njëjtë që rrotullohen gjithmonë, si dhe mungesa e roleve të reja cilësore. Kastingu shpesh është formalitet; po ashtu do të cekja edhe faktin që mjetet financiare për produksione nuk janë të mjaftueshme për të realizuar vizionin artistik. Shpeshherë regjisorët dhe skenografët janë të detyruar të bëjnë kompromise.

Portalb.mk: Cili rol të ka lënë plagë emocionale dhe si e ke mbyllur atë “derë” pas shfaqjes/xhirimit?

Armenis Nokshiqi: Asnjë rol deri më sot nuk më ka lënë plagë emocionale të thellë apo të përhershme. Kam pasur role intensive, të rënda emocionalisht, si ato që kërkojnë të zhytesh në dhimbje, humbje, zemërim apo dëshpërim. Kjo zhytje e plotë është ajo që e bën interpretimin të vërtetë dhe të fuqishëm, por edhe ajo që më lë të lodhur emocionalisht pas shfaqjes. Prandaj, pas çdo shfaqjeje intensive më duhet kohë për t’u kthyer në vetvete. Nuk është plagë, nuk është trauma, është thjesht një proces i natyrshëm i çlirimit të energjisë që e kam mbajtur gjatë shfaqjes.

Foto nga arkivi personal i aktores Armenis Nokshiqi. Foto: Armenis Nokshiqi

Portalb.mk: A mendoni se sot arti shqiptar është më shumë show, më pak ndjenjë? Si e ndieni publikun e sotëm, kërkon emocion, apo vetëm argëtim të shpejtë?

Armenis Nokshiqi: Po, arti shqiptar, sidomos ai komercial, shfaqje, seriale, është më shumë show dhe më pak ndjenjë e thellë. Publiku i ri kërkon argëtim të shpejtë, por ka ende një pjesë besnike që vjen në teatër për emocion të vërtetë. Ne, artistët, duhet ta gjejmë mesataren.

Portalb.mk: A ka ndonjë projekt të ri që po e përgatit dhe ende s’e ke bërë publik dhe çfarë mund të na tregosh tani, qoftë edhe vetëm një detaj të vogël?

Armenis Nokshiqi: Po, kam dy projekte. I pari është një koproduksion ndërkombëtar, “Under the Shade of a Tree I Sat and I Wept”, bashkëprodhim mes Qendrës Multimedia (Prishtinë) dhe The Market Theatre (Johanesburg, Afrika e Jugut). Është një teatër dokumentar që eksploron proceset e pajtimit dhe faljet publike: Kanunin dhe Afrikën e Jugut pas Apartheidit (me dëshmi nga Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit-TRC). Projekti i dytë pritet të nisë në maj: “Babai”, nga Florian Zeller… për më shumë detaje në ndonjë intervistë të radhës.

Foto nga arkivi personal i aktores Armenis Nokshiqi. Foto: Armenis Nokshiqi
Barazi gjinoregra teGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatrore