Martin Panovski, arkitekt dhe ish kryetar i Asociacionit të arkitektëve në “Top Tema”, gishtin për të gjithë parregullsitë rreth ekzistencës së objektit ku ndodhi tragjedia e Koçanit e drejton te ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që, sipas tij, janë në ndesh me njëra tjetrën me qëllim lejojnë të manipulohen dhe interpretohen nga aktorë të ndryshëm për qëllime korrupsioni, transmeton Portalb.mk.
“Sipas ligjit për veprimtari hotelierike, për të marrë një licencë për çdo aktivitet hotelerie, përfshirë edhe për hotel, duhet të paraqisni: kërkesë, para për licencën, një deklaratë nga pronari që plotëson të ashtuquajturat kushtet minimale teknike për kryerjen e një veprimtarie. Është një deklaratë ku pronari i shënon vetë kushtet, a ka një hyrje a dy, a ka kaq tualete etj., etj. Kjo do të thotë se shteti i beson pronarit dhe fjalës së tij. Është si të regjistrosh makinën tënde me një deklaratë se është në gjendje të mirë teknikisht. Kështu e kërkon Ministria e Ekonomisë. Nuk e di se kush do të gjykojë Ministrinë e Ekonomisë? Sepse, Ministria e Ekonomisë, me ligj, nuk duhet të kërkojë raportin e sigurisë nga zjarri. Kjo procedurë ka filluar që nga viti 2006. Është e njëjta gjë edhe për hotel. Ju mund të keni ndërtim pa leje dhe të aplikoni në Ministrinë e Ekonomisë për të marrë miratimin për të funksionuar si hotel. Kjo është arsyeja pse ne kemi qendër tregtare në Shkup që funksionon si hotel. Sipas ligjit të urbanistikës, nuk mund të kesh një hotel në një dyqan. Gjithashtu, sipas ligjit të urbanistikës, nuk mund të kesh disko, d.m.th. Ju duhet të keni njësi të mëdha për qëllime ushqimi. Këtu përfshihen dy ligje, njëri nga Ministria e Ekonomisë dhe tjetri nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, tha Panovski.
Nuk është normale, tha ai, që shteti t’i besojë vetëm një personi që deklarohet se i ka plotësuar kërkesat, pa mos e kontrolluar atë që në fillim.
“Pse them se vendi ynë është vendi më i korruptuar? Sepse e lini personin të investojë 100/200 mijë euro, për t’i thënë në fund që disa gjëra nuk i ke bërë mirë. Në një ligj keni që ju duhen 0.8 metër katror për person, dhe në rregulloren e zjarrit 1 metër katror për person. Ligjet kryesore janë në ndesh me njëra tjetën dhe atë kanë 20% mospërputhje, dhe kjo është bërë me qëllim të lënies së hapsirës për korrupsion. Këtu qëndron problemi kryesor. Dhe, këto ligje i kemi, vite me radhë dhe asnjë ministër nuk i ka ndryshuar, që domethënë janë në rregull me këtë gjendje”, përfundoi Panovski.
Kujtojmë se, 59 persona kanë vdekur ndërsa rreth 155 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit që e kaploi diskotekën “Puls” në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. 89 të lënduar nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan po trajtohen në spitalet e Maqedonisë së Veriut, ndërsa 76 pacientë po mjekohen jashtë shtetit.
Një ekip prej nëntë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka dhjetëra të dyshuar, dhe një pjesë nga ata janë arrestuar.