Gjykata e Apelit e rriti dënimin në 13 vjet për shoferin që përplasi për vdekje Frosina Kulakovan në qendër të Shkupit, të cilën Gjykata Penale e dënoi me 12 vjet burg, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata e Apelit Shkup, në interes të publikut dhe mediave, informon se, duke vepruar sipas lëndës penale KZ-696/25, pas një seance publike të mbajtur më 06.10.2025, dhe pas kryerjes së këshillimeve dhe votimit në një pjesë të mbyllur të seancës më 27.10.2025, nxori vendim me të cilin e miratoi ankesën e Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe e hodhi poshtë ankesën e të pandehurit V.J. si të pabazuar. Vendimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup u ndryshua në pjesën e sanksionit penal, në atë mënyrë që i pandehuri V.J. nga S. i cili, me vendimin e shkallës së parë, u shpall fajtor për veprën penale Vepra të Rënda kundër Sigurisë së Njerëzve dhe Pronës në Trafik sipas nenit 300, paragrafi 2, në lidhje me nenin 297, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me dënim me burg prej 13 vjetësh. Në pjesën tjetër, vendimi i shkallës së parë vërtetohet”, njoftoi Apeli.
Gjykata Penale shtatë muaj më parë e dënoi Jovanovin me 12 vjet burg për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, për të cilat parashikohet dënim me burg prej të paktën katër vjetësh dhe maksimumi 20 vjetësh burg.
Në janar, Vasil Jovanov, pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, përplasi Frosinën në një vendkalim për këmbësorë me një shpejtësi prej 90 kilometrash në orë. Kulakova vdiq në vend.