Apeli e vërtetoi masën e paraburgimit prej dy muajsh ndaj tre terroristëve të Banjskës

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që t’iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tre të arrestuarve në rastin e Banjskës, raporton KlanKosova.

Gjykata Themelore më 21 qershor të këtij viti ka marrë vendim që të pandehurve V.T., B.S., dhe D.M., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës dhe kryerjen e veprave terroriste, u ka vazhduar masën e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri më 25 gusht të këtij viti.

“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN.1.S.nr.137/2024, të datës 04.07.2024, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve V.T, av. Milos Delevic, B.S, av. Ljubomir Pantovic dhe D.M, av. Jovana Filipoviq, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.44/2023, të datës 21.06.2024, e ka vërtetuar”.

“Në rastin konkret kolegji i gjykatës së shkallës së dytë, ka vlerësuar se me lënien e të pandehurve në liri, do të ekzistojë rreziku që të njëjtit të përsërisin veprat penale, të kryejnë vepra të tjera penale, të ndikojnë tek dëshmitarët apo të largohen nga Republika e Kosovës, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për veprat për të cilat janë duke u hetuar, andaj kolegji në fjalë, nuk ka gjetur bazë të arsyeshme në raport me rrethanat konkrete që të caktoj ndonjë masë më të butë, ngase asnjë nga masat më të buta nuk eliminonin rrezikun real për këto baza të veçanta”, thuhet në njoftimin e Apelit, transmeton Klankosova.tv.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit një grup paramilitar, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, kishin sulmuar Policinë e Kosovës, ku pati mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

KosovaVeriu i Kosovës