Ansambli ‘Bajram Shabani’ nga Kumanova feston jubileun, 80 vite frymë dhe ritëm shqiptar

Sonte (7 nëntor), me fillim nga ora 18:00, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” shënon 80-vjetorin e themelimit një jubile i madh që dëshmon se arti dhe tradita shqiptare kanë rrënjë të thella dhe jetë të gjatë, shkruan Portalb.mk.

Kjo mbrëmje festive do të jetë një udhëtim përmes këngëve, valleve dhe emocioneve që për tetë dekada kanë mbajtur gjallë shpirtin artistik të qytetit dhe krenarinë kulturore të brezave.

Ky përvjetor nuk është vetëm një datë është histori, kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë rrugëtim të artit popullor.

Driton Ramadani, drejtor i Ansamblit i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” për Portalb.mk tha se tradita, kultura dhe vallet e Anamoravës janë fryma që e bëjnë këtë manifestim të veçantë një kujtesë e gjallë për brezat që vijnë.

“Sa i takon pjesës folklorike dhe artistike, gjithmonë tentohet të ruhet tradita, kultura, ajo është një punë që gjithmonë nuk mund të sjellësh risi, por të kujtosh ato të kaluarat dhe ti përpunosh. Ne zakonisht dalim me program artisik i cili është i muzikës popullore dhe i muzikës folklorike, gjithsesi vallet koreografike, vallet tradicionale të anamoravës do të jenë si pika të cilat do ta përshkruajnë këtë manifestim. Në bazë të disa arkivave që kanë mund të ruhen ndër vite, kemi parë që në këtë Shoqëri Kulturore Artistike kanë qenë të inkuadruar 2 mijë persona e më tepër, nga zhanre të ndryshme, në kohëra dhe në periudha të ndryshme”, tha Ramadani.

“Bajram Shabani” do të rikujtojë me art dhe ndjenjë rrugëtimin e tij 80-vjeçar në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Kultura shqiptareKulturë lajmePallati i Kulturës Kumanovë