Anketë e NATO-s: 40 përqind e të anketuarve në RMV janë kundër dhënies së ndihmës një anëtari tjetër të NATO-s në rast të ndonjë sulmi

Vetëm 35 përqind e të anketuarve në vend janë përgjigjur se Maqedonia e Veriut duhet të mbrojë një shtet tjetër anëtar të NATO-s në rast të ndonjë sulmi, krahasuar me 40 përqind që kanë thënë se nuk duhet t’i bashkohet mbrojtjes së atij vendi. Ky zbulim është pjesë e hulumtimit të gjerë që Aleanca e kreu në prag të Samitit të Uashingtonit, i cili, ndër të tjera, shënon edhe 75 vjetorin e themelimit të organizatës, transmeton Portalb.mk nga Zëri i Amerikës.

Anketa, e cila është kryer në terren dhe me telefon në të 32 vendet anëtare të NATO-s me gjithsej 31.386 të anketuar, tregon qëndrueshmëri në mendimin e qytetarëve, 60 përqind se vendet e tyre janë më të sigurta si rezultat i bashkëpunimit mes anëtarëve të NATO-s nga Evropa dhe atyre nga Amerika Veriore. Këtu Maqedonia e Veriut është mbi mesataren me 62 përqind të cilët janë përgjigjur “po”.

Vendi është nën mesataren e përgjithshme prej 73 përqind në pyetjen nëse Aleanca është e rëndësishme për sigurinë e vendit – 69 përqind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht.

Ngjashëm është edhe me pyetjen “si do të votonit në një referendum për anëtarësimin në NATO”, ku 64 përqind e të anketuarve në vend kanë thënë se do të votonin “po”, që është nën mesataren e përgjithshme prej 70 përqind.

Maqedonia e Veriut ka përqindjen më të lartë të të anketuarve nga të gjitha vendet anëtare – 27 përqind, të cilët janë përgjigjur se vendi ynë duhet të shpenzojë më pak për mbrojtje.

Vendi ynë ka gjithashtu përqindjen më të lartë të qytetarëve që kanë deklaruar se agresioni rus kundër Ukrainës nuk ka ndikim mbi sigurinë kombëtare – kështu janë përgjigjur 61 përqind, kundrejt 33 që besojnë se lufta ka ndikim mbi sigurinë e Maqedonisë.

Të anketuarit në vend gjithashtu kanë shprehur mosbesim te mediat vendase lidhur me raportimin mbi luftën në Ukrainë – 56 përqind kanë thënë se nuk kanë besim, ndërsa 37 se kanë, dhe 7 përqind janë përgjigjur se nuk e dinë. Mesatarja e përgjithshme në vendet e NATO-s është 44 përqind besim.

Më shumë se gjysma e të anketuarve në vend – 51 përqind kanë thënë se nuk pajtohen me vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. 41 përqind kanë thënë se ndihma duhet të vazhdojë.

Anketa tregon gjithashtu se perceptimi negativ i qytetarëve për Rusinë është në rënie te anëtarët e NATO-s. Edhe pse një pjesë e madhe – 62 përqind nuk e shohin pozitivisht Rusinë, kjo përqindje është më e ulët se në vitin 2022 kur ishte 68 përqind.

Anketa - Anketë SondazhNATONATO - Maqedoni