Viti 2026 filloi me plane të reja ambicioze buxhetore, më shumë të ardhura nga tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin dhe akcizat. Por, sa nga kjo “matematikë” qeveritare do të bëhet realitet nëse e dimë se viti i kaluar përfundoi me një deficit të të ardhurave buxhetore prej 8%, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Qeveria do të forcojë sistemin e mbledhjes së të ardhurave, nën “thjerrë” do të jenë edhe përjashtimet nga tatimet, opozita thotë – na pret një vit i vështirë…
Pothuajse 36% e parave të planifikuara për investime publike për vitin 2025 nuk u realizuan, 8% e të ardhurave buxhetore mbetën të pambledhura në thesarin e shtetit, që është dështimi më i madh në dhjetë vitet e fundit. Të dhënat e përmbledhura nga Ministria e Financave tregojnë se pavarësisht rebalancit të buxhetit dhe vendimit për rishpërndarjen e fondeve buxhetore – nuk u realizuan financat publike të planifikuara në buxhetin e vitit 2025.
Në një vit në të cilin statistikisht, rroga mesatare u rrit për 10%, në buxhet u mblodhën 3% më pak nga tatimi mbi të ardhurat, kishte mbledhje më të ulët edhe të të ardhurave nga pagesa e kontributeve për sigurim pensional. Sipas disa ekonomistëve, ky është një sinjal se numri i të punësuarve është zvogëluar.
“Nëse marrim parasysh faktin se përqindjet e tatimeve nuk kanë ndryshuar vitet e fundit – domethënë, nuk ka presion fiskal, atëherë çdo ulje e të ardhurave tatimore mund të jetë për shkak të bazës së reduktuar (mallra dhe shërbime) për taksim, ose mund të jetë çështje e të ashtuquajturit evazion fiskal. Ulja e numrit të të punësuarve mund të jetë arsyeja e vetme për rënien e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, me një përqindje tatimore të pandryshuar dhe një rritje të rrogave prej 10%. Gjithashtu nuk është logjike të rriten të ardhurat doganore, ndërkohë që ulen të ardhurat nga akcizat”, thotë profesori Semi Bislimi për Portalb.mk.
Ministrja e Financave njoftoi se ka dështim në disa zëra të të ardhurave, në të ardhurat e patatimuara, gjegjësisht në të ardhurat që institucionet duhet t’i kishin mbledhur nga burimet vetëfinancuese, të ardhurat nga akcizat, të ardhurat nga tatimet mbi lojërat e fatit dhe nga mbledhja e kontributeve për sigurim pensional. Pas këtij “bilanci” buxhetor, ministria paralajmëroi ndërhyrje edhe në metodën e mbledhjes së tatimeve, por bëhen edhe analiza për shumën e përjashtimeve tatimore – që mund të hapin hapësirë për korrigjime edhe në tatime.
“Po punojmë për ndryshime në shumë ligje, duke filluar me ligjin për TVSH-në, megjithëse ende nuk i kemi marrë raportet nga FMN-ja të cilët kanë punuar në përgatitjen e analizës, ku ata thonë se përjashtimet tatimore në vend janë 4,75 për qind e PBB-së, që do të thotë se janë shumë më të larta. Në një segment kemi mbledhje pak më të ulët të tatimeve, por po punojmë edhe në atë fushë, kjo është në fushën e lojërave të fatit, ku tashmë po punojmë për futjen e një sistemi të ri, sepse është e qartë se sistemi ekzistues që e kemi në Drejtorinë e të Ardhurave Publike nuk funksionon ose nuk është i mirë, kështu që jemi të fokusuar edhe këtu, do të punojmë për zbatimin e një sistemi të ri“, tha ministrja Gordana Dimitrieska Koçoska.
Sipas LSDM-së opozitare, dështimet e këtilla buxhetore të vitit të kaluar dhe koncepti i buxhetit aktual, të ri, për vitin 2026, janë një sinjal se na pret një vit i vështirë ekonomik.
“Buxheti për këtë vit të ri 2026 paralajmëron një vit 2026 edhe më të vështirë, me varfëri në rritje, mbyllje kompanish dhe humbje vendesh pune. Investimet kapitale, të cilat duhet të jenë motori i ekonomisë, janë zvogëluar për rreth 7 miliardë denarë, krahasuar me rebalancin e buxhetit për vitin 2025. “Është e qartë se në vend të investimeve dhe rritjes, do të vijë një vit me kredi të reja prej të paktën 3 miliardë eurosh, të cilat nuk do të jenë për investime kapitale, por për mbulimin e kostove aktuale, që do të thotë një barrë edhe më e madhe për qytetarët dhe kompanitë”, thonë nga LSDM-ja në një deklaratë për Portalb.mk.
Sipas ekonomistëve, shteti duhet ta forcojë sistemin e mbledhjes së tatimeve.
“Çdo ndryshim – rritje e presionit tatimor është i dëmshëm dhe do të ketë efekte negative në konkurrueshmërinë e çmimeve në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Kjo do të çojë në shkatërrimin edhe të atij pak indi të shëndetshëm të ekonomisë vendase. Pasojat e kësaj do të ndihen përmes uljes së mëtejshme të ofertës vendase në tregjet e brendshme dhe të jashtme, dhe kjo do të çojë në humbjen e pozicioneve aktuale të ekonomisë vendase në treg, në favor të rritjes së importeve”, thotë profesor Bislimi.
Sipas pozicioneve të reja të buxhetit për këtë vit, të ardhurat totale nga tatimet dhe kontributet krahasuar me buxhetin e rebalancuar të vitit të kaluar janë rritur për 5,3%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat janë rritur për 8,7%, nga tatimi mbi fitimin për 14,1%, ndërsa nga TVSH-ja për 6,7%. Pritet një rritje e të ardhurave prej 1,3% nga mbledhja e akcizave.