Për pagesën e rregullt të pensioneve deri në fund të këtij viti Qeveria e ka rritur buxhetin e Fondit Shtetëror të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) për 40.6 milionë euro, shumë kjo të cilën do ta injektojë në fondin shtetëror përmes buxhetit qendror. Mbi bazë të të dhënave mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të FSPI-së “Portalb” analizon se si do të mbushet dhe zbrazet arka e fondit dhe sa janë rritur transfertat shtetërore pa të cilat nuk mund të ketë pagesë të rregullt të pensioneve. Të dhënat e fundit nga muaji qershor tregojnë se po rritet edhe numri i pensionistëve, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Buxhet i ribalancuar i SPI – të ardhurat nga kontributet mbeten të njëjta, shpenzimet për pensione rriten…
Me ribalancin e buxhetit shpenzimet e përgjithshme të Fondit Shtetëror të Sigurimit Pensional i tejkaluan 2,2 miliardë euro – historikisht më të larta, që kanë shënuar një rritje prej 40,6 milionë euro krahasuar me buxhetin fillestar për këtë vit. Rritja e shpenzimeve të FSPI tashmë ishte e planifikuar, madje edhe para miratimit të ndryshimeve ligjore për rritje lineare të pensioneve për 1.000 denarë në dy raste, dhe atë në muajin shtator dhe në muajin mars.
Në anën e shpenzimeve, pjesa më e madhe e buxhetit ose 2,21 miliardë euro është për pagesën e përfitimeve sociale, në të cilat dominojnë pensionet për pagesën e të cilave këtë vit do të shpenzohen 1,74 miliardë euro. Sipas përllogaritjes së “Portalb”, ky zë krahasuar me buxhetin fillestar është rritur për 40,8 milionë euro.
Pagesa e rregullt e pensioneve dhe rritja e pensioneve i kanë rritur përsëri transfertat nga Buxheti Qendror në SPI, të cilat këtë vit tejkaluan 800 milionë euro, që paraqet një rritje prej 40,6 milionë eurosh krahasuar me planin fillestar të buxhetit për këtë vit.
“Rritje e transfereve drejt FSPI nga Buxheti Qendror me qëllim sigurimin e financimit të pandërprerë dhe përmbushjes së detyrimeve të Fondit për pagesën e pensioneve të rritura dhe shpenzimeve të transferit”, thuhet në buxhetin e ribalancuar.
Rritja në anën e të ardhurave të SPI mbështetet ekskluzivisht në injektimin e planifikuar shtetëror prej 40,6 milionë eurosh, ndërsa të ardhurat e parashikuara nga arkëtimi e kontributeve, të cilat janë burimet kryesore për FSPI-në, mbeten në të njëjtin pozicion si në buxhetin fillestar, në nivelin prej 1,34 miliardë euro.
Rritje e numrit të pensionistëve, në fund të muajit qershor më shumë se 346.000 …
E përderisa transfertat buxhetore për ta mbajtur FSPI-në “gjallë” nga viti në vit po rriten, ashtu rritet edhe numri i pensionistëve. Të dhënat e fundit nga FSPI tregojnë se deri në gjysmën e parë të këtij viti në vend ka pasur 346.395 pensionistë, që është për 1.599 më shumë se në muajin maj të këtij viti.
Numri më i madh i pensionistëve, ose 35.71%, marrin një pension nga 18.193 denarë deri në 21.909 denarë, pension nga 27.501 deri në 43.739 denarë marrin 26.94%, ndërsa në vendin e tretë për nga numri, pra 23,16% të pensionistëve marrin një pension nga 21.910 deri më 27.500 denarë.
Pensioni mesatar në muajin qershor ishte 26.207 denarë. Qeveria propozoi ndërsa Kuvendi përmes një procedure të shkurtuar i miratoi ndryshimet ligjore për një rritje lineare të pensioneve për 1.000 denarë në dy herë.
Disa ekonomistë dhe LSDM-ja opozitare theksuan se me këtë model kategoria e parë e pensionistëve me pensionin më të ulët nuk do të marrë asgjë më shumë se sa u takon me modelin e përshtatjes, por të gjithë të tjerët do të “dëmtohen” për një shumë të ndryshme.
Qeveria e justifikon rritjen lineare të pensioneve me shqetësimin për standardin e pensionistëve dhe ruajtjen e solidaritetit tek kjo kategori e qytetarëve. “Portalb”, duke u thirrur në deklarata të ekspertëve, tashmë ka analizuar se në prag të zgjedhjeve lokale rritja lineare e pensioneve ka një kontekst parazgjedhor, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe lajmëtar për zgjedhje të parakohshme parlamentare.