ANALIZË: “Buxhetet zgjedhore lokale”, të ardhurat dhe shpenzimet e komunave (Infografik)

Nga katër komunat e analizuara në vend, Komuna e Kërçovës ka mbledhjen më të lartë të tatimit në të ardhura, 33% në raport me planin. Komuna e Gostivarit ka mbledhjen më të lartë të tatimit në pronë prej 43,5%, ndërsa më të ulët e ka komuna e Haraçinës. Tre muajt e parë të vitit, të cilët ishin me “ngjyrim” zgjedhor, u reflektuan në buxhetet komunale. Analiza ekonomike e Portalb.mk këtë javë i analizoi financat e komunave të Haraçinës, Gostivarit, Dibrës dhe Kërçovës përmes zërave buxhetorë të të hyrave dhe shpenzimeve. 

Më së shumti para shpenzohen për rroga, kontribute, objekte të tjera ndërtimore… 

Komuna e Haraçinës nga tatimi mbi të ardhurat në tremujorin e parë zgjedhor të këtij viti, ka mbledhur pak më pak se 12% të tatimit mbi të ardhurat dhe pak më shumë se 19% të tatimit në pronë, ose vetëm rreth 25.100 euro. Në bazë të mbledhjes së taksave dhe kompensimeve për tre muaj, nuk ka asnjë hyrje buxhetore. Në anën e shpenzimeve, zërat më të lartë janë rrogat në vlerë prej 329.000 euro dhe “objektet tjera ndërtimore” në vlerë prej 312.700 euro. 13.800 euro janë shpenzuar për “blerje automjetesh”, kurse një shumë pak më e ulët, për vetëm tre muaj është paguar për faturat e shërbimeve komunale, ngrohjes, komunikimit. Kostoja buxhetore për “shërbimet kontraktuale” ishte 33.200 euro. Mbledhja e të ardhurave në raport me planin vjetor është 28,3%, kurse e shpenzimeve 22,6%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Gostivarit nga tatimi mbi të ardhurat për tre muaj ka arkëtuar gati 28,6 për qind, ndërsa nga tatimi në pronë është realizuar një përqindje më e lartë, është arkëtuar 43,5 për qind e shumës totale të planifikuar për tërë vitin 2024, ose 671.850 euro. Vetëm për rroga në tre muajt e parë kjo komunë ka paguar 2,9 milionë euro, ndërsa zëri i dytë më i shtrenjtë janë kontributet për sigurim social në vlerë prej 1,1 milionë euro. Pothuajse 505.000 euro janë paguar në bazë të zërit “objekte të tjera ndërtimore”, kurse për fatura për shërbime komunale, komunikim, ngrohje janë shpenzuar 123.800 euro. “Shërbimet kontraktuale” në tre muajt e parë të vitit kësaj komune i kanë kushtuar gati 108.000 euro. Në tremujorin e parë, të hyrat e përgjithshme buxhetore të Komunës së Gostivarit ishin në nivelin 24,2%, kurse shpenzimet ishin 23,4% në raport me planin vjetor.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mbledhja e tatimit mbi të ardhurat në tremujorin e parë në arkën e Komunës së Dibrës ka arritur në 22,3%, ndërsa tatimi në pronë në raport me planin vjetor është realizuar me 31,3% ose në vlerë prej 50.900 euro. Në anën e shpenzimeve për pagesën e rrogave në tre muajt e parë janë shpenzuar gati 870.000 euro dhe 340.000 të tjera për kontribute sociale. Një zë shpenzues me vlerë të konsiderueshme prej 213.100 euro është “punimet e tjera ndërtimore”. Në bazë të faturave për shërbime komunale, ngrohje, komunikim, në tremujorin e parë janë paguar 75.600 euro, kurse për “shërbime kontraktuale” 27.500 euro. Realizimi i totalit të të hyrave buxhetore të komunës së Dibrës në tremujorin e parë ishte 25,2%, kurse i shpenzimeve buxhetore 24,8%.

Komuna e Kërçovës në tre muajt e parë të periudhës parazgjedhjeve, në bazë të tatimit mbi të ardhurat ka arkëtuar 32,7 për qind, kurse realizimi i tatimit në pronë në raport me planin ishte 33,1 për qind ose një vlerë prej gati 256.000 euro. Zëri me kosto më të lartë i kësaj komune janë rrogat bazë në vlerë prej 2 milionë euro dhe gati 782.000 euro të tjera për kontributet për sigurim social. 362.650 euro janë paguar përmes zërit “transferime të ndryshme”, i cili është i dyti për nga shuma. Pothuajse 154.600 euro janë shpenzuar për pagesën e faturave për shërbime komunale vetëm për tre muaj, dhe 117,000 euro të tjera për “shërbimet kontraktuale”. Të ardhurat totale tremujore në raport me planin janë realizuar me një përqindje prej 22,1%, kurse shpenzimet kanë realizim prej 21,1%.

Pjesa e dytë e “Analizës” do të mbulojë buxhetet e Qytetit të Shkupit dhe të komunave të Strugës, Tetovës, Çairit dhe Sarajit.

Analiza Ekonomike e PortalbitBuxheti komunalE-TatimeKomuna e DibrësKomuna e GostivaritKomuna e HaraçinësKomuna e KërçovësMinistria e Financave (MF)Tatim në pronë