Analfabet funksional me nota të fryera, fitojmë me humbje

Binas Pajaziti, foto nga arkivi personal

Shkruan: Binas Pajaziti

Ministria e Arsimit, qeveria, komunat dhe gjithë sistemi arsimor që ekziston duhet të mbaj përgjegjësi për reformat e dështuara ndër vite dhe rezultatet e dobëta të PISA testeve. Mungesa e reformave strukturore gjithpërfshirëse afatgjate, mungesa e objekteve shkollore, mungesa e teksteve shkollore, mungesa e laboratoreve, trajnimet adekuate të stafit mësimor, problemet socio-ekonomike ose rajoni gjeografik prej nga vijnë nxënësit të kenë qasje në arsim cilësor… ndër vite kanë sjellë rezultate negative. Shpesh herë të rinjtë tanë e ndiejnë veten si të pavlerë, sepse nuk arrijnë ta gjejnë veten në një sistem arsimor që i pengon të mendojnë në mënyrë kritike, apo të krijojnë vetë diçka.

Rezultatet e dobëta ndër vite të PISA-s tregojnë se kompetencat e pesëmbëdhjetëvjeçarëve tanë janë tre deri katër vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Kinë, Singapor, Suedi, Slloveni, Kroaci… kjo do të thotë se janë më pak të aftë si fuqi punëtore dhe janë më pak të përgatitur për tregun e punës dhe për sfidat të jetës.

Nëse e krahasojmë një shkollë të shumë viteve më parë me një shkollë aktuale, ndryshimi i vetëm është përmirësimi i kushteve. Mënyra si zhvillohet mësimi, koncepti se si duhet të jetë arsimi, thuajse ka mbetur i njëjtë. Përderisa në shkollat tona ende mësohet me mënyrën frontale të punës, e në anën tjetër teknologjia, rrjetet sociale dhe mënyra e jetesës ka ecur me rritme maramendëse, ne nuk mund të presim rezultate pozitive.

Në RMV janë bërë trajnime të ndryshme, por të gjitha pro forma, jo gjithpërfshirëse, përveç projektit SEA 2007 “Strategjitë mësimore” organizuar nga USAID dhe BZHA i cili kishte për bazë zhvillimin e 16 strategjive interaktive për të rritur interaktivitetin gjatë mësimdhënies. Baza e këtyre strategjive ishte puna në grupe, rritja e kohezionit social, të menduarit në mënyrë kreative, kritike, në mënyrë të pavarur, duke ruajtur aftësinë për t’u kuptuar sa më mirë me njëri-tjetrin, apo të krijojnë vetë diçka. Në momentin që filloi aplikimi i këtyre stragjegjive, u promovua projekti “Kompjuter për çdo fëmijë”. Pra në emër të digjitalizimit përsëri u kthyem në mënyrën frontale të punës, e cila i nxit nxënësit të mësojnë përmendësh dhe në mënyrë mekanike ku një mësimdhënës spjegon njësoj për të gjithë, ndërkohë që nxënës të ndryshëm kanë kapacitete dhe ambicie të ndryshme. Faktorë të tjerë që ndikojnë në ngecjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në RMV, padyshim është mungesa e objekteve shkollore, cilësia e objekteve në të cilat mësojnë nxënësit, të mësuarit në dy ndrrime…

Mungesa e teksteve shkollore po cilësohet si problem ndër vite në arsimin e RMV. Pa mos hyrë në përmbajtjen dhe cilësinë e librave, është apsolutisht e papranueshme që nxënësit mos kenë mundësi të kenë tekste shkollore edhe pse kjo është e garantuar me ligj. Tragjedia është edhe më e madhe kur ti si prind nuk ke mundësi për ta blerë librin, sepse nuk shitet askund.

Një problem tjetër mbetet përdorimi i pakontrolluar i celularëve si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi e si pasoj kemi zhvillim negativ psikosocial të të rinjëve, duke u manifestuar me sjellje asociale, depresion, mungesë të durimit, vetdisiplinës, por edhe sukses më të ulët në shkollë dhe shkathtësi më të vogla zhvillimi.

E si mund të dalim të suksesshëm në testin PISA, kur ne ligjërojmë në mëyrë frontale?! Pyetjet e testit PISA matin njohuritë e fituara në mënyrë interaktive ku nxitet mënyra kritike e të mësuarit, nxitet kreativiteti logjik…

Perderisa kemi sukses me nota të fryera, mësimdhënie ku në qendër të vëmendjes është të mësuarit mekanik dhe mënyrën frontale të punës, rezultatet e PISA do të jenë analfabetizëm funksional me nota të larta, e ne do të ngelim të kënaqur se fitojmë me humbje.

Çfarë duhet të bejë qeveria dhe MASH

– Trajnime gjithperfshirëse dhe zhvillim profesional për mësimdhënësit që do ndikojë në mësimdhënie kreative duke zbatuar metoda pune interaktive dhe tërheqëse për nxënësit.

– Politikat populiste nuk sollën rezultate, MASH ose ti furnizojë të gjitha shkollat me tekstet e nevojshme, ose ta ndryshoj ligjin ku do të jepet mundësia që çdo kush të ketë të drejt edhe ta blej librin.

– Ndërtimi i objekteve shkollore, përmirësimi i kushteve në infrastrukturën e shkollave, ndërtimi dhe furnizimi i kabineteve shkollore me rekuizitat e duhura, ku do të stimulohen shkathtësitë kreative, furnizmi me pajisje teknologjike bashkëkohore etj.

Qeveria dhe MASH duhet të bëjnë çmos që sistemi arsimor të përshtatatet me kërkesat e kohës, sepse nëse nxënësit përbëjnë rreth 20% e popullatës së një vendi, ata janë 100% i së ardhmes sonë.

Albert Ajnshtajn dikur ka thënë: Çdokush është një gjeni, por nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në një pemë, ai do ta jetojë gjithë jetën duke besuar se është i paaftë.

Na Shkruani