Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu njofton risi në lidhje me parkimin në zonën e Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Aliu thotë se do të hapen hyrje shtesë në Qendrën Klinike, dhe gjithashtu do të ketë një ndryshim në shumën e çmimit që paguajnë pacientët. Parkimi në Qendrën Klinike do të jetë falas për pacientët onkologjikë, për ata që kanë udhëzim në njërën nga klinikat, parkimi do të jetë falas, ndërsa më shtrenjt do të jetë për ata qytetarë që vijnë për arsye të tjera. Çmim të veçantë, thotë Aliu, do të ketë për punonjësit e Qendrës Klinike, transmeton Portalb.mk.
Lidhur me ndërtimin e hapësirës së re të parkimit në Qendrën Klinike, Aliu tha se do të njoftojë më shumë detaje javën e ardhshme, ndërsa sot tha se marrëveshja do të nënshkruhet me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit”, e cila deri më tani ka menaxhuar parkingun në Qendrën Klinike.
“Presim që marrëveshja midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe NP ‘Parkingu i Qytetit’ të nënshkruhet gjatë ditës. Deri më tani, pa nënshkruar marrëveshje dhe hapa konkretë, nuk desha të dal publikisht me informacione… Gjithashtu, do të hapen hyrje shtesë, njëra prej tyre do të hapet te Kardiologjia në mënyrë që pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje në atë Klinikë të mund të hyjnë direkt atje. Daljet do të jenë të njëjta, numri i vendeve të parkimit do të jetë dyfish më i madh se tani, për shkak të optimizimit të hapësirës. Për momentin, nuk do të ketë ndërtim të një objekti të ri sepse vlerësojmë se me këtë optimizim numri i vendeve të parkimit do të jetë më se i mjaftueshëm”, tha Aliu pas promovimit të modulit të ri për të dhënat elektronike të kontrolleve shëndetësore në fushën e mjekësisë së punës.
Kur u pyet pse marrëveshja po nënshkruhet me të njëjtin institucion që menaxhonte parkingun në Klinikë, pra NP “Parkingu i Qytetit”, ai u përgjigj se si ministër, qasja e tij është të punojë me institucionet që janë përgjegjëse për atë aktivitet.
“Si ministri, brenda nesh kemi institucionin për punë të përgjithshme, i cili për fat të keq deri më tani nuk ka një ekspertizë të tillë dhe nuk duam të eksperimentojmë me parkimin, dhe për NP ‘Parkingu i Qytetit’ është puna e tyre e përditshme, kështu që vlerësojmë se me ta do të kontrollohej më mirë. Problemi deri më tani nuk ka qenë në NP ‘Parkingu i Qytetit’, por në menaxhimin e proceseve në parking. Ju e dini që as NP ‘Parkingu i Qytetit’ dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kishin ndonjë proces për monitorimin e aktiviteteve në parking”, shtoi Aliu.
Ai tha se tani po përcaktohet mënyra e pagesës, dhe gjithashtu njoftoi se do të ketë monitorim 24-orësh të të gjithë hapësirës dhe kamera për të monitoruar makinat.
Lidhur me mënyrën e krijimit të një numri më të madh vendesh parkimi, ministri tha se ka shumë hapësirë të papërdorur që do të përdoret. Nëse ka nevojë dhe nëse optimizimi i hapësirës së parkimit nuk jep rezultate, ai theksoi se do të merret në konsideratë instalimi i një garazhi shumëkatësh.
“E dini që kemi një hapësirë pas Qendrës klinike që nuk është fjalë për fjalë e arritshme për këmbësorët ose makinat, thjesht do të optimizohet. Kanë punuar disa arkitektë dhe sipas tyre, do të kemi dyfishin e hapësirës së parkimit që kemi tani. Nëse na duhet dhe rezultatet tregojnë se edhe me këtë lloj hapësirash parkimi dhe me optimizimin e atyre hapësirave të lira të parkimit, ato nuk do të jenë të mjaftueshme, do të shkojmë me fazën e tretë, duke instaluar një garazh shumëkatësh brenda. Unë dhe grupi i punës jemi shumë të sigurt se nuk do të ketë nevojë për këtë”, tha Aliu.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën për shtyp të mbajtur sot, promovoi modulin e ri për evidentimin elektronik të kontrolleve shëndetësore në fushën e mjekësisë së punës. Moduli është zhvilluar nga Drejtoria për Shëndetësi Elektronike, në bashkëpunim me Institutin për Mjekësi të Punës dhe Shoqatën e Mjekëve Specialistë të Mjekësisë së Punës.
“Moduli mundëson evidentimin elektronik të kontrolleve shëndetësore që deri më tani realizoheshin ekskluzivisht në letër, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve shëndetësore në këtë fushë. Ky modul përfaqëson një përparim të rëndësishëm në digjitalizimin dhe modernizimin e sistemeve shëndetësore, duke sjellë përfitime konkrete për të gjithë qytetarët, punëdhënësit dhe punonjësit shëndetësorë në vendin tonë.
Në sistem regjistrohen në mënyrë elektronike kontrollet për aftësinë e përgjithshme shëndetësore, për marrëdhënie të punës, për aftësinë shëndetësore dhe psikofizike për drejtimin e automjeteve motorike, traktorëve dhe makinerive të punës, si dhe kontrollet për gjendjen shëndetësore për posedim dhe mbajtje të armës”, theksoi ministri Aliu.
Dragana Bislimovska nga Instituti i Mjekësisë së Punës informoi se bëhet fjalë për regjistrimin e parë elektronik të këtij lloji në sistemin kombëtar “Termini im”, me të cilin mundësohet regjistrimi elektronik për lëshimin e vërtetimeve mjekësore dhe ndjekja e analizave dhe të dhënave në kohë reale.
“Në këtë mënyrë, më në fund do të mundësohet integrimi i veprimtarisë së mjekësisë së punës në sistemin “Termini im” përmes regjistrimit të kontrolleve shëndetësore të kryera, gjë që do të mundësojë dukshmëri dhe ndjekje të aktiviteteve tona në fushën e mjekësisë së punës. Veçanërisht e rëndësishme është që neve, si mjekë specialistë të mjekësisë së punës, na mundësohet qasje në të dhënat shëndetësore për çdo person”, theksoi Bislimovska.
Zhaklina Çagoroska nga Sistemi Kombëtar Elektronik “Termini im” informoi se të gjitha kontrollet shëndetësore realizohen ekskluzivisht në institucione shëndetësore të autorizuara, ku mjekët identifikohen përmes licencës së tyre profesionale ose vulës personale.
“Me çdo kontroll shëndetësor, automatikisht krijohet një kartelë e veçantë shëndetësore për këtë lloj regjistrimi. Më tej, sistemi gjeneron automatikisht një raport mjekësor, i cili përmban opinionin mjekësor, gjendjet e identifikuara, rekomandime për të punësuarin dhe punëdhënësin, si dhe vlerësimin e aftësisë për punë”, tha Çagoroska.
Ministria thotë se procesi i digjitalizimit do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, përmes krijimit të një portali për punëdhënësit, nëpërmjet e-shërbimeve për të iniciuar kontrollet shëndetësore të të punësuarve, integrimit në dosjet shëndetësore dhe paraqitjes në aplikacionin “Shëndeti im”, si dhe digjitalizimit të plotë të dokumenteve dhe ndërlidhjes me institucionet përmes interoperabilitetit veçanërisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë për Punësim.