Bashkimi Demokratik për Integrim njofton se kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka përcjellë letrën e tij të hapur për opinionin vendor dhe ndërkombëtar të datës 3 prill, edhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të shquara ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.
“Në hyrje, Kryetari Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese”, thonë nga BDI.
Ata shtojnë se letra e hapur, e publikuar më 3 prill 2026, u është adresuar të gjithë ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend, si dhe liderëve dhe personaliteteve të mëposhtme ndërkombëtare:
Krerë shtetesh, kryeministra dhe ish-udhëheqës:
• Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump
• Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
• Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer
• Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron
• Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz
• Kryeministrja e Republikës së Italisë, Giorgia Meloni
• Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush
Poashtu edhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe diplomatëve si:
• Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio
• Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte
• Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska
• Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas
• Ambasadori i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Michalis Roka
• Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau
• Shefi i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Brendan Hanrahan
• Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Colleen Hyland
• Nënsekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështje Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo
• Ambasadori i BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë dhe ish-ambasador i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav
• Përfaqësuesi i Përhershëm i Sllovenisë në OKB, Samuel Zbogar
• Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Arne Sannes Bjørnstad
• Zëvendës Shefja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory
Ish-përfaqësues dhe personalitete të shquara ndërkombëtare si: George Robertson, Erwan Fouéré, Federica Mogherini, David Geer, Pieter Feith, Javier Solana, Victoria Nuland, Robert Gelbard, Lawrence E. Butler, Craig Jenness, Donato Chiarini, Catherine Ashton, Christoph Heusgen, Nicolaas Biegman, Larry Butler, Dean Curran, Dennis Blease, Jacob McFerren dhe Daniel Serwer.
“Përmes kësaj letre, Kryetari Ahmeti kërkon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.
Ali Ahmeti ditë më parë dërgoi letër të hapur, në të cilën shprehte shqetësim për qasjet institucionale që, sipas tij, mund të cenojnë barazinë, duke theksuar se problemi nuk qëndron te ligji, por te mungesa e zbatimit të tij në praktikë dhe vullnetit institucional për ta respektuar atë.
Njëri nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti, në një deklaratë për Alsat nga ana tjetë theksoi që letra e hapur e Ali Ahmetit për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe është tentativë për të manipuluar opinionin dhe për të mbajtur gjallë shpresën në anëtarësi për rikthimin e tij në qeveri.