Aleancë për të Ardhmen: Thellohet bashkëpunimi BE – Kanada

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja duan ta thellojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre. Në një samit në Montreal, u themelua një „Aleancë për të Ardhmen”. Synimi është krijimi i një hapësire të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike, raporton Dojçe Vele (DW).

Për këtë qëllim, zinxhirët e furnizimit duhet të bëhen më të qëndrueshëm dhe të reduktohen rreziqet e përbashkëta ekonomike. Gjithashtu, të dyja palët synojnë të forcojnë bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, energjisë, arsimit, tregtisë, hapësirës dhe inteligjencës artificiale.

Një vend me karakter evropian

Kryeministri kanadez Mark Carney e cilësoi këtë si një hap drejt „një bote më të qëndrueshme ndaj krizave”. Sipas tij, shoqëritë po përballen me sfida dhe tronditje të reja. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi, se në Montreal po hapet një kapitull krejtësisht i ri në historinë e përbashkët.

Presidenti i Këshillit Evropian António Costa e cilësoi Kanadanë si „vendin më evropian ndër vendet joevropiane”.

Kanadaja vend anëtar apo jo?

Debate pati rreth termit „anëtar i asociuar”. Carney kishte synuar që Kanadaja të bëhej anëtari i parë i asociuar i BE-së. Në veçanti, kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) e kundërshtoi këtë ide dhe termi u hoq nga deklarata përfundimtare.

Von der Leyen tha, se Kanadaja nuk mund të bëhet anëtare me të drejta të plota, por synimi është që marrëdhëniet mes dy palëve të jenë sa më të ngushta.

Në sfond janë marrëdhëniet e tensionuara të të dyja palëve me SHBA-në dhe Kinën. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka cilësuar afrimin e Kanadasë me BE-në si qesharak dhe ka kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare.

Kanadaja do të kontribuojë në kredinë për Ukrainën

BE-ja është partneri i dytë më i madh tregtar i Kanadasë pas SHBA-së. Marrëveshja e tregtisë së lirë CETA është prej vitesh në zbatim të përkohshëm.

Kanadaja synon gjithashtu të marrë pjesë në financimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën. Qeveria në Otava fillimisht nuk dha hollësi të tjera.

Burimi:

Bashkimi Evropian (BE)Kanada