Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur sot në Durrës, ku një automjet i drejtuar nga shtetasi Nikoll Radaçi 57 vjeç, ka përplasur tre fëmijë të mitur në trotuar. Si pasojë e përplasjes, dy prej fëmijëve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër ndodhet në gjendje të rëndë dhe është dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë, transmeton Euro News Albania.
Sipas të dhënave të para, drejtuesi i mjetit Nikoll Radaçi ka qenë në gjendje të dehur.
Gazetarja Lorida Mani ka zbardhur detaje të reja për aksidentin e rëndë të ndodhur në Durrës ku dy fëmijë kanë humbur jetën për shkak të një përplasje me automjet.
Gazetarja raporton se autori, i identifikuar si Nikoll Radaçi u largua pas aksidentit, por është kapur më pas nga forcat e policisë.
“Një aksident i rëndë është regjistruar në lagjen 15 në Durrës, e njohur si zona e ish-Kënetës, me pasojë vdekjen e dy fëmijëve të mitur dhe plagosjen e rëndë të një të treti.
Përkatësisht mosha e të mitruve që kanë humbur jetën janë 8 dhe 10 vjeç ndërsa personi i tretë që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore është 13 vjeç.
Tre të miturit mësohet se kanë qenë duke luajtur në trotuar në lagjen e tyre teksa janë përplasur nga një automjet Benz ML, me drejtues Nikoll Radaçin, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi. Pas përplasjes dy fëmijët kanë ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërsa i mituri i tretë është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit. Drejtuesi i mjetit pas aksidentit është larguar nga vendngjarja, por 57 vjeçari është kapur menjëherë nga policia”, tha gazetarja.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”.