Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Kryetar i Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi. Për zgjedhjen e Gashit për kryetar të Kuvendit, 76 deputetë votuan “pro” nga 82 të pranishëm, gjashtë ishin “kundër”, ndërsa nuk pati asnjë abstenim, transmeton Portalb.mk.

Pas zgjedhjes, Gashi dha dhe nënshkroi deklaratën solemne.

Pasi u ul në kolltukun e kryeparlamentarit, Gashi iu drejtua deputetëve të pranishëm.

“Duke qenë se ky është mandati im i tretë parlamentar, mund të them se kam pasur mundësinë të jem anëtar i qeverisë dhe i opozitës. Do të kujdesem që çdo deputeti t’i garantohet e drejta për t’u shprehur. Përkatësia ime e vetme do të jetë që asnjë deputet të mos diskriminohet”,  tha Gashi.

Gashi për kryetar i Legjislativit u propozua me nënshkrimet e 75 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe “Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë”.

Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, si pjesë e koalicionit VLEN dhe propozues i kandidatit për kryetar të përbërjes së re parlamentare, ka thënë se Gashi është deputet për tetë vjet dhe se është një politikan që nuk ka asnjë njollë dhe nuk përmendet në rastet e korrupsionit.

Para zgjedhjes së Gashit në Kuvend është diskutuar për këtë propozim, për të cilin kanë reaguar më së shumti deputetët e së Majtës.

Më herët në kuadër të seancës konstituive u zgjodh edhe përbërja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Kuvendi sot me 101 vota “pro” nga 117 të pranishëm, miratoi raportin e Komisionit Verifikues, duke verifikuar mandatet e 118 deputetëve.

Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI gjithashtu ka 18 deputetë. Koalicioni VLEN ka 14, e Majta 6 dhe ZNAM 6 deputetë.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse VLEN do ta mbajë mandatin. 

Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativë, e cila është pjesë e Koalicionit VLEN. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe mandati i tij nuk u verifikua.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është deputet për herë të parë pasi nuk ishte në lista në ciklin e kaluar zgjedhor.

Ndryshime në lista do të ketë, duke pasur parasysh se Mickoski do të jetë kryeministër, ndërsa disa nga deputetët e rinj do të marrin ulëse në ekzekutiv.

Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, deputetë janë ish-kryeministri dhe lideri i partisë Dimitar Kovaçeski dhe gjithë kryesia që dha dorëheqje bashkë me të.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni  VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, LSDM njëjtë, 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI poashtu 18 mandate, një më pak, i cili shkoi për VLENIN. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse definitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.

Afrim GashiHristijan Mickoski HristianParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutZgjedhje parlamentare RMV 2024