Afatet dhe procedurat: Qeveria e re në RMV duhet të formohet më së voni pas një muaji

Pas zgjedhjes së djeshme të Afrim Gashit kryetari të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, tani pritet që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova t’ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit. Ai, në afat prej 20 ditëve duhet t’i paraqesë Kuvendit programin për përbërjen e Qeverisë, të cilën e zgjedh Kuvendi, raporton Portalb.mk.

Këtë procedurë e përcakton neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, i cili thotë:

Presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

Mandatari, në afat prej 20 ditëve, nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit ia paraqet programin dhe i propozon përbërjen e Qeverisë.

Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”.

Sipas kësaj, SiljanovskaDavkova duhet që deri më 7 qershor të ja besojë mandatin Mickoskit, ndërsa ai më pas brenda 20 ditëve t’i paraqesë Kuvendit përbërjen Qeveritare, pra më së voni deri më 27 qershor dhe më pas Kuvendi ta votojë.

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet edhe para këtyre afateve, konkretisht deri më 20 qershor. Qeveria e ardhshme do të përbëhet nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, ndërsa ka mundësi që edhe Lëvizja Znam të bëhet pjesë e shumicës.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale.

Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.

Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Por, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të sjellë Gjykata Administrative pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse definitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.

Gordana Siljanovska DavkovaHristijan Mickoski HristianPresidenca e RMV-sëQeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNEZgjedhje parlamentare RMV 2024