Afat i ri për premtimin e vjetër, Kasami: Muajin e ardhshëm do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit

Muajin e ardhshëm do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit. Kështu ka deklaruar kryetari i Komuës së Tetovës Bilall Kasami. Megjithatë, Kasami edhe në të kaluarën ka dhënë afate për miratimin e këtij plani urbanistik, por që nuk u realizuan, shkruan Portalb.mk.

Kasami më 26 shtator 2024 theksoi se Kodra e Diellit nuk është harruar dhe se së shpejti pritet të shpallet plani i ri urbanistik për qendrën e skijimit.

“Shpresoj që muajin e ardhshëm të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit, të cilin do ta promovojmë para investitorëve vendas dhe të huaj. Së bashku me Qeverinë do të punojmë për gjetjen e investitorit në pjesën e ELEM Turs, e cila operon me qendrën e skijimit Kodra e Diellit. Ne kemi plan ambicioz”, tha Kasami.

Kujtojmë që Kasami disa herë ka dhënë afate për miratimin e planit urbanistik për Kodrën e Diellit të cilat nuk u përmbushën.

Më 18 nëntor 2023 gjatë promovimit të rikonstruimit të rrugës në Lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, Kasami paralajmëroi miratimin e planit urbanistik për këtë zonë para përfundimit të vitit 2023. Por kjo nuk u bë.

Edhe më 28 janar 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami deklaroi se ishin të përkushtuar që në vitin 2022 të ketë përfundimisht plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit. Por, kjo nuk u realizua në afatin e paralajmëruar.

Plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit është premtim i Kasamit edhe në programin zgjedhor 2021/25 me të cilin ai garoi në zgjedhjet lokale për Tetovën .

Nga ana tjetër, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investitorin italian, kompaninë “TechnoAlpin”, të cilët në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike.

Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Ndërsa detaje nuk japin as nga kompania Italiane “TechnoAlpin”.

Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Bilall KasamiKodra e DiellitPlan i Detajuar UrbanistikPortalb Fakt - Premtime parazgjedhore