Adnan Daci: Tradita nuk po zhduket plotësisht, por sot po vihet në rrezik nga ritmi i shpejtë i jetës dhe kultura virale

Në një kohë kur muzika shpesh bëhet e shpejtë, e momentit dhe kalon brenda ditës, ka artistë që mbeten të qëndrueshëm në atë që dinë të bëjnë më mirë: të këndojnë me zemër. Adnan Daci është një nga ata emra që prej vitesh është i pranishëm në skenën e muzikës populllore dhe jo vetëm. Në një bisedë për Portalb.mk, Daci foli për rrugëtimin e tij artistik, për mënyrën si e sheh muzikën sot, për traditën dhe vlerat që duhet të ruhen, si dhe për planet që ka për të ardhmen. Në fund, ai ndalet edhe te projekti i tij më i ri, i cili është pritur shumë mirë nga publiku dhe ka marrë vlerësime të shumta për melodinë, tekstin, aranzhimin dhe interpretimin.

Portalb.mk: Çka ju ka mbajtur në hap me kohën, në një kohë ku shumë këngëtarë të gjeneratave të kaluara kanë mbetur pjesë e historisë? 

Adnan Daci: Prej kohësh kam menduar se, po të duhej t’i përmblidhja arsyet pse kam arritur deri këtu, do t’i përmendja seriozitetin, disiplinën në punë, përkushtimin dhe dashurinë që ndiej për muzikën. Ndër to është edhe lidhja emocionale me publikun, sepse gjithmonë kam qenë ngushtë i lidhur me të dhe e kam konsideruar si pjesën më të rëndësishme të këtij rrugëtimi. Gjithashtu, nuk mund ta lë pa përmendur mundin tim për ta bërë punën sa më profesionale në çdo aspekt, duke u përmirësuar vazhdimisht dhe duke mos u kënaqur kurrë me “mjafton kaq”. Do të thosha edhe autenticitetin: gjithmonë jam përpjekur të jem origjinal dhe të mos jem kopje e askujt. Ndoshta kjo lidhet edhe me personalitetin tim, me atë që kam qenë dhe kam mbetur deri më sot. Me pak fjalë: koha i harron ata që mbesin në vend, por i respekton ata që ecin përpara me të, pa e humbur shpirtin e vet.

Portalb.mk: Në gjithë këto vite në skenë, çka ende të ka mbetur pa e realizuar?

Adnan Daci: Ëndrrat e mia të parealizuara gjatë këtyre viteve në skenë do ta veçoja, ndoshta, një album të veçantë, në bashkëpunim me artistë të tjerë që i vlerësoj dhe i çmoj. Një tjetër ëndërr, që do të doja ta realizoja në të ardhmen, është një koncert përvjetor, më saktësisht për shënimin e jubileut të karrierës sime: qoftë 30-vjetori, edhe pse kam kaluar mbi 30 vite në skenë, apo 40-vjetori. Në të ardhmen shpresoj ta realizoj edhe këtë dëshirë: të kem një koncert të veçantë për shënimin e njërit prej këtyre jubileve, 30 apo 40 vjet, pa marrë parasysh cilin. Uroj me zemër që të bëhet realitet. Dhe pse jo, edhe një performancë në një skenë të veçantë, që do ta bënte atë moment edhe më të paharrueshëm. Sigurisht që mund të ketë edhe ëndrra e ide të tjera, por për momentin kjo është ajo që dua ta realizoj më së shumti.

Foto nga arkivi personal i këngëtarit Adnan Daci. Foto: Adnan Daci

Portalb.mk: Sa është e vështirë të ruhet muzika kur trendet ndryshojnë shpejt? 

Adnan Daci: Ruajtja e muzikës në një kohë kur trendët ndryshojnë kaq shpejt nuk është kurrë e lehtë, por nuk është as e pamundur. Sot gjithçka ndryshon nga një muaj në tjetrin, prandaj këngëtarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve: në tingull, në videoklipe, në mënyrën e promovimit dhe në platformat online. Por “ruajtja e muzikës” do të thotë mbi të gjitha të mos e humbasësh stilin tënd. Në të njëjtën kohë, duhet të dish edhe të përshtatesh me tingujt dhe ritmet që publiku i ri i kërkon sot. Megjithatë, siç e kam thënë edhe më herët, origjinaliteti duhet të ruhet patjetër. Duhet të ecësh me kohën dhe të punosh për të gjitha grupmoshat: të kesh këngë moderne, por pa i harruar këngët e vjetra që e kanë ndërtuar rrugën tënde. Prandaj kërkohet kujdes dhe mençuri. Në fund, ruajtja e muzikës ndërkohë që trendët ndryshojnë, është një balancë e hollë mes identitetit artistik dhe risive që sjell tregu.

Portalb.mk: A po ruhet tradita sot, apo po humbet në “trendin” e shpejtë, ku e sheh rrezikun më të madh?

Adnan Daci: Tradita nuk po zhduket plotësisht, por sot po vihet seriozisht në rrezik nga ritmi i shpejtë i jetës dhe kultura virale. Rreziku më i madh është mosnjohja: brezat e rinj, kur nuk lidhen me rrënjët, mund ta humbin gradualisht ndjenjën e identitetit. Këtë e shohim edhe te shumë artistë të rinj që shpesh fokusohen te ajo që është momentale dhe “trending”, pa e ndërtuar krijimtarinë mbi bazën kulturore që na ka formuar. Ky ritëm i shpejtë e bën traditën të duket “e vjetruar” ose jo tërheqëse për publikun e ri, sidomos kur mungon edukimi dhe prezantimi i duhur i origjinës dhe vlerës së muzikës tradicionale. Një tjetër problem është komercializimi i tepruar, ku kultura trajtohet vetëm si produkt për klikime dhe para, pa respekt për shpirtin dhe domethënien e saj. Prandaj duhet të kujdesemi që të mos humbasin vlerat, gjuha jonë shqipe dhe trashëgimia jonë tradicionale, jo si nostalgji, por si themel i identitetit dhe vazhdimësisë sonë.

Portalb.mk: Kënga “Gurbeti” është plasuar para disa ditëve, pse e zgjodhe këtë titull dhe çka simbolizon realisht, si është pritur nga publiku? 

Adnan Daci: Kënga e gurbetit që kam përzgjedhur është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku. Kam marrë vlerësime të larta, mesazhe dhe komente shumë pozitive, për melodinë, kompozimin, aranzhimin, tekstin dhe interpretimin. Kur të gjitha këto elemente gërshetohen me harmoni, rezultati është një “fryt” i mirë dhe një këngë që mbetet. Këngët e gurbetit gjithmonë kanë rezonancë të fortë, sepse prekin një realitet që shumë njerëz e kanë përjetuar. Pikërisht për këtë e zgjodha këtë temë: si një përvojë personale, por edhe kolektive. Gurbeti është pjesë e historisë së shumë familjeve shqiptare dhe zgjon ndjenja të thella, nostalgji, mungesë, mall dhe dashuri për vendin e origjinës.

Për mua, kënga është mënyra më e sinqertë për të treguar një histori: për të ndarë emocionet, vuajtjen, sakrificën, por edhe shpresën. Edhe ata që nuk e kanë përjetuar vetë gurbetin, sërish lidhen me tekstin dhe emocionin, sepse aty gjejnë diçka universale: mallin për vendlindjen, për familjen, miqtë dhe kujtimet e fëmijërisë; përpjekjen e atyre që shkojnë larg për një jetë më të mirë, por që e ndiejnë boshllëkun e largësisë. Në disa raste, kënga flet edhe për pritjen e rikthimit, për ëndrrën që nuk shuhet kurrë. Prandaj këngët e gurbetit i prekin menjëherë zemrat: publiku e ndien një lidhje personale, e gjen veten në vargje dhe identifikohet me emocionet që përcjell.

Portalb.mk: Çfarë mund të presë publiku në vijim nga ju, cilat janë planet?

Adnan Daci: Planet e mia janë gjithmonë në vazhdimësi me punën time dhe mundohem të jem aktiv në çdo periudhë. Kam disa projekte për të ardhmen që dua t’i realizoj hap pas hapi. Së pari, kam në plan disa duete me artistë dhe kolegë, bashkëpunime që besoj se do t’i sjellin publikut diçka të veçantë dhe të sinqertë. Po ashtu, dua të realizoj një album me muzikë live, sepse ajo energji dhe ai komunikim i drejtpërdrejtë me publikun kanë një vlerë tjetër. Dhe, sigurisht, kam edhe një dëshirë të madhe: të organizoj një koncert për shënimin e përvjetorit tim, një mbrëmje që do ta ndaj me njerëzit që më kanë mbështetur ndër vite, me këngë, emocione dhe falënderim.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për gjithë lexuesit tanë?

Adnan Daci: Mesazhi im për të gjithë lexuesit është i thjeshtë, por i fuqishëm: Ruani pasionin dhe ëndrrat tuaja, pavarësisht sfidave që sjell jeta. Mos harroni rrënjët tuaja, historinë dhe kulturën tuaj, sepse ato janë ato që ju bëjnë unikë. Muzika, emocionet dhe kujtimet na bashkojnë, ndajini me zemër dhe jetoni çdo moment me pasion. Çdo ëndërr e madhe fillon me një hap të vogël, ndaj mos ndaloni kurrë së krijuari dhe së dashuruari atë që bëni.

IntervistëKëngë - Këngëtar(e)Kultura shqiptareKulturë lajme