A po hyn Maqedonia e Veriut në lojë për deportimin e migrantëve nga SHBA?

Qeveria e Maqedonisë së Veriut i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së autoriteteve amerikane për pranimin e shtetasve të Maqedonisë të cilët po qëndrojnë ilegalisht në SHBA. Por, a është futur vendi jonë në lojë për të qenë vend tranzit dhe për të pranuar përkohësisht migrantë që në SHBA kanë ardhur nga vende të treta, siç është rajoni i Amerikës Latine? Radio Evropa e Lirë (REL) ka shkruar për mundësitë e tilla për disa vende të Ballkanit, ndërsa Kosova sot konfirmoi zyrtarisht se do të pranojë, ose do të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga vende të treta në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, transmeton Portalb.mk.

Nëse një gjë e tillë do t’i ndodhte Maqedonisë së Veriut, e cila aktualisht ka një numër minimal të migrantëve, vendi do të duhet të nënshkruajë një marrëveshje dhe të marrë përsipër përgjegjësinë për t’i respektuar të drejtat e njeriut, thonë ekspertët vendas.

Qeveria: E pranuam kërkesën e Trump-it për shtetasit e Maqedonisë

Në pyetjet nga Radio Evropa e Lirë lidhur me pranimin e qytetarëve të deportuar nga SHBA-të, nga Qeveria e Maqedonisë thanë se iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së аdministratës Trump, por për shtetasit e Maqedonisë.

“Menjëherë pas ardhjes në pushtet së administratës së Presidentit Trump, na u dërgua një kërkesë për pranimin e qytetarëve të Maqedonisë që qëndrojnë ilegalisht në territorin e SHBA-ve, nëse përcaktohet një status i tillë. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë, Qeveria e pranoi kërkesën për pranimin e tyre në rast të deportimit mbi këtë bazë”, thanë nga Qeveria.

Në këtë rast Maqedonia e Veriut nuk ka zgjidhje tjetër. Siç thekson Bojana Bozhinovska Siljanovska, kryetare e Shoqatës të Juristëve të Rinj të Maqedonisë (ShJRM), e cila për shumë vite merret me çështje që kanë të bëjnë me migracionin dhe azilin, shteti është i detyruar t’i pranojë shtetasit e tij.

“Çdo rast është individual, por në përgjithësi, sa i përket deportimit të shtetasve të Maqedonisë nga Shtetet e Bashkuara, atëherë ata persona i kërkojnë të drejtat e tyre atje (në Shtetet e Bashkuara) sepse Maqedonia nuk ka lidhje këtu, domethënë, shteti është i detyruar t’i pranojë shtetasit e tij në territorin e tij”, thotë Bozhinovska Siljanovska.

Çfarë thotë Qeveria dhe çfarë thotë Departamenti i Shtetit lidhur me deportimin e personave nga vendet e treta?

Por kur bëhet fjalë për deportime eventuale nga SHBA-të të personave me origjinë nga vende të treta, atëherë shteti që do të kujdesej përkohësisht për ta do të merrte përsipër përgjegjësi të mëdha, thonë nga OJQ-ja.

Nga Qeveria nuk konfirmojnë që Maqedonia e Veriut është e përfshirë në bisedime të tilla me autoritetet amerikane. Pyetjeve shtesë nga Radio Evropa e Lirë lidhur me pranimin e përkohshëm të migrantëve nga vendet e treta, ata ju përgjigjën kështu:

“Si qeveri ne qëndrojmë besnik përgjigjes që tashmë e kemi dërguar, e që ka të bëjë me atë që institucionet zyrtarisht e kanë si informacion.”

Mundësinë e këtillë për vendet e rajonit fillimisht e njoftoi “Bloomberg”-u amerikan, i cili, duke cituar burime anonime njoftoi se administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i kishte kërkuar Serbisë t’i pranonte migrantët që SHBA-të planifikonin t’i deportonin. Bëhet fjalë për persona që kryesisht janë nga Кuba, Haiti, Nikaragua dhe Venecuela.

Në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 6 qershor nuk u komentuan drejtpërdrejt pretendimet e “Bloomberg”. Në vend të kësaj, nga atje deklaruan se vendet në rajonin e Ballkanit janë të përfshira në kontakte si pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-ve për t’i deportuar shtetasit e huaj pa status të rregulluar ligjor.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po bashkëpunojnë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksuan nga Departamenti i Shtetit.

“Shteti duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut të këtyre personave”

Duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e informacionit lidhur me mundësitë eventuale për deportime, nga Shoqata e Juristëve të Rinj janë të përmbajtur në komentet e tyre, duke theksuar se fillimisht do të duhej të definohej nëse do bëhej fjalë migrantë apo refugjatë që ikin nga persekutimi, si dhe të shihen marrëveshjet që do të arriheshin.

Këto marrëveshje do të ishin bilaterale dhe në do të definoheshin kushtet, procedurë etj.

Por, siç thekson Bozhinovska Siljanovska, në një skenar hipotetik të pranimit të deportimeve, Maqedonia e Veriut ka ligjet e veta dhe është nënshkruese e konventave, që do të thotë se “në rast të pranimit të migrantëve me qëllim që SHBA-të ose Evropa të lirohen nga mbipopullimi, shteti duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut të atyre personave”.

“Shteti duhet ta respektojë procedurën dhe pastaj të marrë përgjegjësi në drejtim të deportimit të mëtejshëm ligjor të këtyre personave në një vend të tretë ose në vendin e origjinës, duke u garantuar atyre se të drejtat e tyre njerëzore, mbi të gjitha, e drejta për jetë, do të respektohen”, thotë kryetarja e shoqatës, Bozhinovska Siljanovska.

Kosova konfirmoi, Mali i Zi e mohon

Një ditë pasi qeveria e përkohshme e Kosovës për Radion Evropa e Lirë konfirmoi se e kishte shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me pranimin dhe akomodimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në pajtim me kushtet e përcaktuara”, edhe kryeministri i përkohshëm Albin Kurti u prononcua për këtë informacion.

Ai tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend, të cilët më vonë do të kthehen në vendet e tyre të origjinës, do të menaxhohej dhe koordinohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në rrjetin X, Kurti shkroi se pas marrjes të këtij vendimi, autoritetet e Kosovës do të punojnë “në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse të SHBA-ve gjatë gjithë procesit”.

Qeveria e Kosovës deklaroi se gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, “personat do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e definuara me ligjet në fuqi”.

Por, Mali i Zi mohon të ketë zhvilluar bisedime të tilla diplomatike. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi për mediat lokale njoftoi se deri më tani nuk kanë pasur asnjë komunikim me Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje.

Çfarë do të thonë deportimet për Ballkanin?

Pas publikimit të gazetës amerikane “Bloomberg” lidhur me kërkesën e SHBA-ve drejtuar Serbisë, si dhe deklaratës nga Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë se vendet e Ballkanit  janë të përfshira në kontakte si pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-ve për deportimin e të huajve, disa ekspertë komentuan se skenarë të tillë nuk kanë kuptim.

“Një gjë e tillë nuk ka kuptim, sidomos nëse merret parasysh distanca gjeografike”, tha për Radion Evropa e Lirë Nikolla Kovaçeviq, jurist i specializuar për çështjet lidhur me azilin dhe migracionin.

Në vendimin eventual për dërgimin e migrantëve në vende mijëra kilometra larg nga gjithçka që ata e kanë të njohur, “ka edhe një element teatralizmi, si dhe një dëshirë nga administrata amerikane për t’i treguar bazës së saj mbështetëse se ka një qëndrim të fortë për çështjen e migracionit”, tha për Radion Evropa e Lirë Michael Bochenek, këshilltar i lartë në Human Rights Watch (HRW).

Emigrim - Emigrantë - EmigracionKosovaMali i ZiQeveria e Maqedonisë së VeriutShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)