Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sinjalizoi se konfliktit me Iranin mund të jetë drejt fundit, duke ofruar një vlerësim optimist për luftën që shkaktoi tensione rajonale dhe që i destabilizoi tregjet globale të energjisë, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.
Duke folur me gazetarët më 9 mars në klubin e tij të golfit në Florida Trump tha se lufta “do të mbarojë së shpejti”, edhe pse nuk ofroi një afat kohor të qartë dhe sugjeroi që operacionet mund të vazhdojnë edhe përtej javës aktuale.
“Mund t’i japim fund këtu, por ne do të vazhdojmë”, tha ai, duke argumentuar se ndërhyrja e SHBA-ve e ka ndaluar Iranin në “marrjen e kontrollit në Lindjen e Mesme“.
Optimizmi i presidentit vjen mes një debati të vazhdueshëm në Uashington rreth qëllimeve, shpenzimeve dhe trajektores potenciale të konfliktit.
Një mënyrë ndryshe e luftimit?
Disa ish-zyrtarë të Trump e shohin qasjen e presidentit si pjesë të një ndryshimi më të gjerë në mënyrën se si Uashingtoni rezonon për fuqinë ushtarake.
Alexander Gray, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trump, për Radion Evropa e Lirë tha se presidenti me sa duket po e sfidon kornizën që i formësonte debatet e SHBA-ve mbi ndërhyrjen ushtarake që nga Lufta e Irakut nga viti 2003 deri në vitin 2011.
Gray argumentoi se politikëbërësit e SHBA-ve shpesh i kishin vendosur zgjedhjet e tyre si binare: ose të angazhoheshin për forca masive tokësore dhe fushata afatgjata të ndërtimit të kombit, ose t’i shmangnin tërësisht aksionet ushtarake.
“Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë sulme të synuara, kirurgjikale me kohëzgjatje të kufizuar kundër objektivave të qarta, të definuara dhe reale dhe të arrijnë objektiva kombëtare”, tha Gray.
Ai pastaj shtoi se nëse një qasje e tillë ka sukses në Iran, kjo mund t’u sjellë “avantazh të madh gjeopolitik” Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre.
Përshtatje e narrativit të luftës
Analistë të tjerë janë më skeptikë në lidhje me mesazhet e administratës, duke thënë se ato mund të formësohen nga mendime politike dhe ekonomike.
Paul Poast nga Universiteti i Çikagos për Radion Evropa e Lirë tha se sinjalet kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë sugjerojnë se zyrtarët mbase po përpiqen të arrijnë dy gjëra njëherësh: t’i qetësojnë tregjet dhe ta portretizojnë luftën si një sukses.
Ai tha se deklaratat se lufta mund të përfundojë “së shpejti” mund të ndihmojnë në qetësimin e investitorëve dhe tregjeve të energjisë.
Në të njëjtën kohë, Poast theksoi se retorika e administratës në lidhje me qëllimet e saj me sa duket ka ndryshuar. Aludimet e hershme për ndryshimin e regjimit ose ndalimin e përhershëm të Iranit nga blerja e armëve bërthamore po i lënë gjithnjë e më shumë vendin qëllimeve më të kufizuara, si shkatërrimi i aftësive të tij raketore dhe forcave detare.
Sipas Poast, kjo përshtatje do mund t’i lejojë administratës të pretendojë se misioni është përmbushur edhe nëse udhëheqësia politike e Iranit mbetet në pushtet.
Debat i shtuar në Kongres
E përderisa Shtëpia e Bardhë e thekson përparimin ushtarak, lufta ka shkaktuar një debat të zgjeruar politik në Capitol Hill.
Një grup demokratësh të Senatit janë zotuar se do të përdorin mjete procedurale për ta ngadalësuar punën e Senatit përderisa zyrtarët e lartë të administratës nuk dëshmojnë nën betim rreth konfliktit.
Demokrati Cory Booker nga Nju Xhersi më 9 mars tha se deputetët duan seanca dëgjimore me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth para komisioneve kryesore të Senatit që ta shpjegojnë strategjinë e administratës, kohëzgjatjen e pritur të operacionit dhe shpenzimet e tij.
Senatorët demokratë, përfshirë këtu Chris Murphy nga Konektikati, Tim Kaine nga Virxhinia, Tammy Duckworth nga Ilinoi, Adam Schiff nga Kalifornia dhe Tammy Baldwin nga Uinskonsin, propozuan rezoluta të shumta që kërkojnë të bllokojnë përfshirjen e SHBA-ve në konflikt sipas Aktit të Autorizimeve të Luftës, i cili kërkon miratimin e Kongresit për angazhime të zgjatura ushtarake.
Në seancën dëgjimore të Senatit, Dick Durbin, një demokrat nga Ilinoi, paralajmëroi se konflikti rrezikon përsëritjen e gabimeve të luftës në Irak, duke argumentuar se administrata ka ofruar justifikime të ndryshueshme për operacion ushtarak dhe se i mungonte një strategji e qartë afatgjatë.
Republikanët bashkohen me Presidentin Trump
Megjithatë, shumë republikanë e mbrojtën fuqimisht vendimin e Trump për fillimin e operacionit ushtarak.
Në fjalimin para Senatit përfaqësuesi Roger Wicker nga Misisipi, kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit, pretendoi se kritikët po e vinin në dyshim padrejtësisht vendimin e Trump për ta sulmuar Iranin dhe po vendosnin kufizime arbitrare në fushatën ushtarake.
“Me sa duket, nëse kjo luftë vazhdon deri në pesë javë, ne duhet të biem dakord se do i mbledhim tendat, do kthehemi në shtëpi dhe ta lëmë punën të papërfunduar”, tha Wicker.
Ai shtoi se administrata i kishte theksuar qartë qëllimet e saj: shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Iranit, eliminimin e aftësisë së tij për të prodhuar raketa, neutralizimin e forcave të tij detare që përdoruren për t’i mbështetur grupet militante dhe parandalimin e Teheranit nga blerja e armëve nukleare.
Wicker theksoi edhe atë që ai e përshkroi si përparim të hershëm në fushatë, duke thënë se mbrojtja ajrore dhe sistemet raketore të Iranit tashmë janë dëmtuar rëndë dhe se forcat detare iraniane janë shtyrë nga Gjiri i Omanit.
Sulmet ajrore, tha ai, ka të ngjarë të vazhdojnë “me javë, jo me ditë” derisa të arrihen këto objektiva.
“Kjo nuk ka pse të jetë një luftë e përhershme. Nuk është një ushtrim i kotë në Lindjen e Mesme”, tha Whiker.
Për çfarë duhet bërë kujdes
Disa tregues në ditët në vijim mund të ndihmojnë për ta definuar nëse konflikti vërtet po qetësohet apo po hyn në një fazë të re, parashikojnë ndihmësit republikanë dhe demokratë të Senatit, të cilët folën me Radion Evropa e Lirë me kushtin që të mbeten anonimë.
Një shenjë kyçe do të jetë ritmi operativ i luftimeve
Ngadalësimi i sulmeve ajrore amerikane ose zvogëlimi i numrit të e dronëve iranianë të kapur mund të sugjerojë se Uashingtoni beson se objektivat e tij kryesore ushtarake në masë të madhe janë arritur.
Një faktor tjetër do të jetë përgjigja e Iranit
Sulmet e vazhdueshme me raketa ose dronë nga Irani ose aleatët e tij rajonalë do të sugjeronin se Teherani ende ka aftësi dhe gatishmëri për ta vazhduar luftën, duke e zgjatur potencialisht konfliktin pavarësisht pretendimeve të Uashingtonit për sukses në fushën e betejës.
Më në fund analistët thonë se qëndrueshmëria e infrastrukturës ushtarake të Iranit do të monitorohet nga afër. Nëse sulmet e SHBA-ve e kanë degraduar ndjeshëm prodhimin e raketave, asetet detare dhe mbrojtjen ajrore të Iranit (objektiva që i theksoi Senatori Wicker), administrata mund të pretendojë se objektivat e saj kryesore të sigurisë janë përmbushur pa e vazhduar operacionin ushtarak.
Një pyetje tjetër është nëse Uashingtoni e ruan fushëveprimin e kufizuar që ish-zyrtari i sigurisë kombëtare i Trump, Gray, e përshkroi si qendror të strategjisë.
Nëse operacionet amerikane mbeten të përqendruara në sulme të synuara në vend të përshkallëzimit më të gjerë ose vendosjes së trupave tokësore, kjo do ta përforconte argumentin e administratës se operacioni ushtarak i shkurtër dhe i përqendruar mund të arrijë objektiva strategjikë pa kaluar në një konfrontim të zgjatur.