Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë në Shqipëri, mbrëmë për herë të parë për publikun u shfaqën dorëshkrimet e Ismail Kadaresë. Kjo ekspozitë përbën mundësi të rrallë për të eksploruar botën e panjohur të Kadaresë: veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues. Çdo faqe dorëshkrimi është një udhëtim në mendimin dhe artin e tij, ku secila ide dhe reflektim shpërfaqet në mënyra të reja e të befasishme, njofton Portalb.mk.
Ekspozita e titulluar “Dorëshkrimet e Kadaresë” u zhvillua mbrëmë me praninë e shumë dashamirësve të shkrimtarit të njohur botërisht, Ismail Kadare, familjarëve të tij por edhe autoriteteve shtetërore.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëjnë të ditur se, në këtë ekspozitë janë shfaqur mbi 44 mijë dokumente. Me dhjetëra publikime, blloqe shënimesh të hedhura gjatë procesit krijues, një roman i pabotuar, përmbledhje me poezi dhe skica, që përshkruajnë veprimtarinë letrare të pangjashme të autorit, i cili e përcolli Shqipërinë në rreth 50 gjuhë të globit, vijnë pranë publikut artdashës.
Mes dokumenteve të ekspozuara, publiku do të mund të shohë nga pranë fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe të bjerë në gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”.
Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:
- Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;
- Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;
- Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;
- Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;
- Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar;
- Dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën;
- Dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.
- Prej këtij fondi të rrallë dokumentesh, janë evidentuar edhe dorëshkrimet e veprave “Spiritus”, “Ftesë në studio”, “Darka e gabuar”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “E penguara” (Requiem për Linda B.), “Jeta, vepra dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Hijet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Dorëshkrimet e Kadaresë” do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit pranë COD-it deri në datë 18 nëntor.